Një grup studentësh kanë bllokuar sot hyrjen e Fakultetit të Drejtësisë duke u bërë pengesë për zhvillimin normal të procesit mësimor. Ekipi i ATSH-së vëzhgoi sot situatën e krijuar në këtë fakultet.
Në shenjë proteste, ata kanë penguar studentët e tjerë të cilët i janë drejtuar auditoreve për mësim. Studentët protestues kanë vendosur karrige të shumta pranë dyerve të fakultetit duke mos lejuar zhvillimin e mësimit i cili ka filluar prej ditës së hënë.
Ndërkohë të tjerë studentë prisnin në oborrin e fakultetit të Drejtësisë për të hyrë në auditor për ndjekjen e studimeve. Të pyetur nga ATSH, studentët u shprehën se kjo situatë është e papranueshme.
Sipas tyre, ata që po bëhen pengesë për zhvillimin e mësimit janë një pakicë pasi mësimi ka filluar që ditën e hënë. “Unë erdha për të bërë mësim, por po bllokojnë.
Kjo është e papranueshme, na pengojnë që të hyjmë brenda ndërkohë që mësimi ka filluar që të hënën dhe ne ngelemi mbrapa me mësime”, u shpreh një studente e këtij Fakulteti./ATA