Nga Flogert Muça
Presidenti Ilir Meta sort ka refuzuar të dekretojë në postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakajn.
Cakaj, shqiptari i Kosovës i cili është vlerësuar gjerësisht për aftësitë dhe shkollimin e tij në fushën e diplomacisë ka qenë prej ditësh në qendër të debatit publik, ku ‘këshilltarët’ e Metës që shkruajnë e flasin në media, kanë hedhur në publik të gjitha “argumentat” e presidentit kundër tij.
Ajo që bëri Meta sot në fakt nuk ishte asgjë tjetër veçsa firmosja e argumentave të ‘këshilltarëve’ të tij që dihet cilët janë e çfarë aftësishë të jashtëzakonshme kanë për tu përkulur.
Por, përtej kësaj, Ilir Meta është një politikan që nuk ka vajtur në Presidencë për të bërë Presidentin. Ai ka hyrë në atë zyrë për të marrë edhe një instrument që sot, të ketë më çfarë t’i bëjë opozitë Edi Ramës. E teksa dëgjon të thuhet se “Argumentat e Presidentit Meta janë absurdë”, të kujtohet që kjo në fakt nuk ka pse të përbëjë çudi, pasi ai është i shoqi i bashkëkryetares së opozitës, ish-kryetari i LSI-së e njeriu ku edhe sot e gjithë LSI ka sytë. Kjo nuk do aftësi analizuese për ta thënë apo kuptuar.
Ilir Meta sot bëri detyrat e shtëpisë si bashkëdrejtues i opozitës, pavarsisht gjuhës së drunjtë që përdor në përditshmëri si President kur shëtit bjeshkëve me Çim Pekën e pi raki me Fahri Balliun. Edhe pse një fjalë e urtë thotë “Më thuaj me kë rri të të them cili je”.
Ndaj, Meta me mos-dekretimin e Cakajt, duke shkelur hapur Kushtetutën si në rastin e Lleshajt, ka bërë detyrën ndaj opozitës që bashkëdrejton. Këtë e di edhe Edi Rama, këtë e di çdo shqiptar këtej e andej kufirit, e kjo nuk i shërben opozitës.
Cakaj është thjeshtë justifikimi për të mbajtur betejë ndezur mes qeverisë dhe opozitës. Të gjitha argumentat e Metës janë justifikime sa për të thënë.
Gjithësesi, e vetmja e re në këtë histori është fakti se për herë të parë, hapur, Meta është rreshtuar krah Serbisë e Greqisë që janë kundër Cakajt ministër. Njëlloj si Berisha, Serbia e Greqia, Meta sot ka dalë kundër një propozimi si ai i shqiptarit të Kosovës, Genti Cakaj.