Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka vendosur të mos dekretojë largimin nga detyra si kryetar i KLSH të Bujar Leskaj.
Ai ka kërkuar nëpërmjet një letre që Leskaj të qëndrojë në krye të KLSH-së deri sa të zgjidhet kryetari i ri.
“Përsa i takon ushtrimit të mandatit si kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, pas përfundimit të afatit të tij 7-vjeçar, kjo cështje është e zgjidhur nga vet ligji nr.154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, ku në nenin 24 parashikohet shprehimisht se: “Pas përfundimit të mandatit të Kryetarit të KLSH, ky i fundit qëndron në detyrë deri në zgjdhjen e kryetarit të ri,” shkruhet në letrën e Metës.
Sinjalet e kësaj lufte kanë nisur prej kohësh, pasi Meta kërkon me çdo kusht të zgjedhë kreun e KLSH nga radhët e LSI, me qëllim për të kontrolluar financat e vendit, por është kundërshtuar nga Rama, i cili me shumë gjasa nuk do ta lejojë kandidaturën e Presidentit.
Njeriu që do e zëvëndësojë Leskajn, është një ndër çështjet në pritshmëri të politikës shqiptare.
Muaj më parë, presidenti Meta bëri një “provë force” duke propozuar emrin e Vitores Tushës, anëtare në Kushtetuese, por që mazhoranca ia rrëzoi.
Dhe derisa të arrijë të marrë atë që dëshiron, Meta duket se do këmbëngulë, duke mbajtur “peng” Leskajn.