Pranvera do të sjellë reprezalje në politikë e drejtësi. Deri më tani vetingu ka larguar nga detyra dhjetra gjyqtarë e prokurorë, por shumë shpejt do të ngrihen SPAK dhe Byroja e Hetimit, institucione të cilat do të dërgojnë para drejtësisë të gjithë abuzuesit.
Në fund të 2018 ishte Këshilli i Lartë Gjyqësor që hapi garën për gjyqtarët e SPAK, ndërsa dje Këshilli i Prokurorisë hapi garën për prokurorët e SPAK. Por kush janë më favoritët që të bëhen pjesë e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion?
Dje në mbledhjen e KLP u bë e ditur se kushti bazë është që prokurorët të kenë mbi 10 vite përvojë, ndërsa ka rëndësi të madhe karriera e tyre. Pra më favoritët janë ata që kanë shqyrtuar dosje të çështjeve që do jenë objekt i SPAK.
I bie që favoritë janë emrat që kanë hetuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Gazeta ka siguruar një listë me 29 emra, të cilët kanë përvojë dhe karrierën e tyre e kanë fokusuar te dosjet e bujshme.
Bëhet fjalë për prokurorë të Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Deri në muajin gusht të vitit 2017, ishte Prokuroria e Përgjithshme institucioni që hetonte korrupsionin në nivele të larta.
Anëtarët e këtij institucioni kanë të gjithë një përvojë të gjatë në hetimin e ministrave, ish-ministrave, deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë. Ndërsa prokurorët e Krimeve të Rënda janë ata që kanë një përvojë shumë të gjatë në hetimin e bandave kriminale.
Ndërkohë, që prej një viti dhe ata po hetojnë dosje korrupsioni. Madje dhe ligji e ka përcaktuar qartë se të parët që kanë të drejtë të jenë pjesë e SPAK janë anëtarët e Krimeve të Rënda.
Sipas ligjit, 3 kushtet bazë që duhet të plotësojnë kandidatë janë: Të kenë kaluar vetingun, të heqin dorë nga privatësia dhe të marrin konfirmimin e familjarëve për tu verifikuar llogaritë bankare dhe për t’i mbajtur në përgjim.
Mes emrave të mëposhtëm ka disa që e kanë kaluar vetingun. Ndërkohë që gjithë problemi është nëse do sigurojnë mbështetjen e familjarëve që ata të jenë në monitorim. Megjithatë dje KLP ka hapur garën për 15 vende vakante dhe kushdo prokuror mund të garojë.
Ata që nuk janë futur në veting do rivlerësohen me përparësi, ndërsa më pas KLP do zgjedhë figurat më me integritet. Por favoritë janë ata që kanë shqyrtuar dosjet e bujshme, pra prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme dhe ata të Krimeve të Rënda.
Nuk dihet ende nëse disa prej tyre do të kandidojnë, por nëse e bëjnë, atëherë me shumë gjasë do jenë pjesë e organeve kundër korrupsionit.
Ngritja e Byrosë së Hetimit
Përveç SPAK, një tjetër organ mjaft i rëndësishëm do të jetë dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Sipas ligjit, puna për të do të nisë menjëherë pas ngritjes së SPAK. Do të jenë prokurorët e SPAK që do të përzgjedhin anëtarët e BKH.
Por së fundmi është bërë e ditur se terreni është bërë gati dhe për këtë strukturë. Qeveria ka bërë të ditur listën e akteve ligjore që do të miratohen gjatë vitit 2019 dhe Ministria e Drejtësisë gjatë katërmujorit të parë do të miratojë të gjitha vendimet për godinën e SPAK dhe BKH.
Kjo ministri ka bërë gati strategjinë se si do të sigurohet jeta e anëtarëve të SPAK dhe BKH, ndërsa po ashtu do miratohet dhe godina ku do vendoset byroja. BKH do jetë polici gjyqësore vetëm në shërbim të SPAK.
Për këtë arsye, prej muajsh në Akademinë e Sigurisë, me asistencë të SHBA dhe BE ka nisur trajnimi shumë oficerëve dhe ekspertëve, në mënyrë që ata të garojnë për BKH.
Po ashtu SHBA do sjellë dhe pajisje speciale, mes të cilave dhe makinën e së vërtetës. Pjesë e BKH do jetë dhe një agjent i FBI. Të gjitha janë gati dhe po pritet vetëm ngritja e SPAK.
Ja prokurorët më të favorizuar për në SPAK
1. Arenc Çela, Prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
2. Olsian Çela, Prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
3. Behar Dibra, Prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
4. Njazi Seferi, Prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
5. Ened Nakuçi, Prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
6. Elisabeta Imeraj, ish-prokurore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
7. Përparim Kulluri, Prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
8. Doloreza Musabelliu, Prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
9. Eugen Beci, Prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
10. Klodian Braho, Prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
11. Edvin Kondili, Prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
12. Blerim Tominaj, Prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
13. Vladimir Mara, Prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
14. Manjola Kajana, Prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
15. Pranvera Hoxha, Prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
16. Sonila Muhametaj, Prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
17. Besim Hajdarmataj, ish-Drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda
18. Donika Prela, kryetare e Prokurorisë së Krimeve të Rënda
19. Adnan Xholi, Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme
20. Adnand Kosova, Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme
21. Alfred Progonati, Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme
22. Alma Muca, Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme
23. Anila Leka, Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme
24. Arben Kraja, Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme
25. Arqilea Koça, Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme
26. Avni Kraja, Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme
27. Kostaq Beluri, Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme
28. Sokol Stojani, Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme
29. Thoma Jani, Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme/ Kliti Topalli, Sot