Shqipëria ka hyrë në vitin zgjedhor, ndërsa opozita ende gjendet në fazën e riorganizimit, pasi brenda tre javëve do të zhvillohet mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD që do të zgjedhë nënkryetarët dhe sekretariatin e partisë. Do të kërkohet nga Basha që të “sakrifikojë” fundjavat në shtëpinë e tij në Holandë, në funksion të përballimit të kësaj mazhorance, që sipas lidershipit të PD ka pushtetin, institucionet dhe paratë e trafikut të drogës, për një rezultat pozitiv në zgjedhjet vendore
Situata brenda PD nuk është stabël dhe kanë nisur të nxjerrin “kokë” përplasjet e grupeve dhe rrymave, të natyrshme për çdo parti politike.
Teksa Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në vitin zgjedhor, pasi më 30 qershor zhvillohen zgjedhjet për pushtetin vendor, si dhe për faktin se brenda tre javëve Këshilli Kombëtar i PD do të zgjedhë strukturat e saj drejtuese, në partinë më të madhe të opozitës kërkohet të vihen pikat mbi “i”.
Situata bëhet akoma më e komplikuar për shkak se mazhoranca socialiste e ka filluar me kohë fushatën, ndërkohë që demokratët nuk kanë zgjedhur akoma nënkryetarët dhe sekretariatin e PD, që do të bëjnë më pas dhe shpërndarjen e të deleguarve nëpër rrethe për të organizuar partinë.
Nuk janë vetëm kritikët e përhershëm Topalli, Patozi, Imami, Selami apo Ruli ata që kanë evidentuar dobësinë në organizim të PD, por dhe forumet brenda partisë, përfshirë dhe të rinjtë e FRPD, të cilët ndjehen të paangazhuar zyrtarisht nga partia.
Dobësia më e madhe e evidentuar është ajo në lidershipin e partisë dhe më konkretisht te kryetari Lulzim Basha, i cili në shumë evente politike mungon, por asnjëherë një gjë e tillë nuk ndodh në rrugëtimin e tij të fundjavës, në drejtim të Holandës ku ka dhe familjen.
Dhe këtë fundjavë ka qënë në Holandë dhe pritet që të vijë sot, për të marrë pjesë në përvjetorin e themelimit të të parës gazetë opozitare në Shqipëri pas 45 vitesh diktaturë komuniste, “Rilindja Demokratike”. Festa është shtyrë për tre ditë thjeshtë dhe vetëm se Basha s’gjendej në Shqipëri dhe ishte si gjithnjë për fundjavë pranë familjes në Holandë.
Bëhet e ditur se i është kërkuar kreut demokrat Basha që të ‘sakrifikojë’ ndonjëherë fundjavat për të filluar organizimin e fushatës zgjedhore, pasi e shtuna dhe e diela janë dhe ditët më të mira për të zhvilluar takime me qytetarët por dhe me anëtarësinë e mbështetësit e PD, pasi janë ditë pushimi.
Zëra seriozë brenda PD thonë se për të përballuar “ofensivën” e mazhorancvës, e cila ka pushtetin, institucionet dhe paratë e trafikut të drogës, duhet që përpos një qendrese të fortë dhe pune voluminoze, opozita të ketë dhe një kryetar me kohë të plotë.
Mësohet se një gjë e tillë do t’i kërkohet dhe kryetarit Basha në mbledhjet e forumeve që do të zhvillohen pas konstituimit të sekretariatit dhe të nënkryetarëve të PD, për të qënë sa më efikasë përballë një mazhorance kriminale, sikurse cilësohet PS e kryeministrit Edi Rama.
Me sa duket në PD janë të lodhur duke “pritur” kryetarin Lulzim Basha që të kthehet nga vakanca e gjatë në Holandë, tek familja e tij, dhe do të kërkojnë me insistim që ai të jetë me kohë të plotë në funksion të opozitarizmit dhe betejës për t’u kthyer në pushtet./Pamfleti