Dy studentë të cilët kanë protestuar ditën e sotme me pjesën tjetër të studentëve për plotësimin e kërkesave të parashtruara, janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë nr.1, në Tiranë. Lajmi është bërë i ditur nga Forumet Studentore.
Të shoqëruarit janë Vilson Kulemani dhe Gëzim Almeta. Report Tv mëson se ata janë shoqëruar në komisariat për shkak të vendosjes së zinxhirëve në dyert e Universitetit të Politeknikut dhe të Juridikut.
Protesta e studentëve rinisi këtë të hënë, pas pushimeve të fundvitit, e zgjati rreth 4 orë. Organizimi nisi në çdo fakultet të Tiranës nga ora 09:00 deri në 10:00 dhe më pas studentët marshuan në këmbë në drejtim të Kryeministrisë, ku u hodhën edhe flakadanë.
Ndonëse qeveria miratoi më datë 30 dhjetor “Paktin për Universitetin”, duke plotësuar kështu një pjesë të mirë të kërkesave të studentëve, këta të fundit insistojnë që kërkesat nuk janë plotësuar. Sot, studentët kërkuan shfuqizimin e Ligjit të Arsimit të Lartë dhe parashtruan edhe pikën e nëntë që nuk ka qenë më parë në kërkesat e parashtruara.