Projekti për ndërtimin e aeroportit të Lumalasit kap një vlerë investimi 25 milionë euro, dhe pritet t’i “rikthejë’ Korçës aeroportin pas 94 vitesh. Me financimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe pas kërkesës së këshillit bashkiak të Korçës, tashmë ka përfunduar studimi i fizibilitetit për këtë projekt strategjik për gjithë rajonin e Korçës.
Në kuadër të konsultimeve që janë kryer mes pushtetit qendror dhe atij vendor, parashikohet që ky projekt madhor të realizohet hap pas hapi, pa pasur paraprakisht nevojë për investime të mëdha. Fillimisht ai do të funksionojë për uljen e avionëve të vegjël turistik, për aviacionin e përgjithshëm dhe më pas synohet vendosja e tij në eficencë si një aeroport low cost me linja ndërkombëtare.
Aktorët e angazhuar për ndërtimin e këtij projekti synojnë që fillimisht përmes vënies së tij në funksion për uljen e avionëve të vegjël turistik apo për aviacionin e përgjithshëm të sigurojnë të ardhura që do investohen më pas drejtpërdrejt për zgjerimin e këtij projekti.
Ndërtimi i aeroportit të Lumalasit në Korçë, është një projekt me një ndikim të konsiderueshëm në zhvillimin e turizmit në këtë rajon.
Pas 94 vitesh, tashmë Korça do të ketë sërish një aeroport funksional. Nga viti 1924-1944, Korça kishte aeroportin e vetë funksional, i cili përdorej kryesisht për transportin e brendshëm ajror dhe që siguronte lidhje me Tiranën, Peshkopinë, Shkodrën etj./ATA/