Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të rinisë nga puna në datën 9 janar. Pas pushimeve dimërore, KPA do të rikthehet tek ankimimet e gjyqtarëve, prokurorëve dhe Komisionerit Publik. Ditën e mërkurë trupa gjykuese e organit kolegjial do të mblidhet në dhomë këshillimi për të vendosur përfundimisht për fatin e ish-gjyqtarit të Tiranës, Artan Lazaj. Lazaj u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por për të kërkuar prishjen e vendimit ai u drejtua tek KPA.
“Ditën e mërkurë, më datë 09.01.2019, ora 10:00, do të gjykohet në dhomë këshillimi çështja (JR) nr. 15/2018, datë 11.09.2018 për ankimin që subjekti i rivlerësimit Artan Lazaj ka bërë kundër vendimit nr. 34, datë 11.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Trupi gjykues për gjykimin e kësaj çështjeje përbëhet nga: Kryesues: Sokol Çomo; Relatore: Albana Shtylla; Anëtarë: Ardian Hajdari, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz”, thuhet në njoftimin e KPA. Puna e organit kolegjial do të vijojë më tej në datën 15 janar me çështjen e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj. Ai u ankimua nga Komisioneri Publik, ndërsa KPA vendosi për rihetim të pjesshëm të pasurisë së tij dhe njerëzve të lidhur me të.
Teksa një pjesë e konsiderueshme provash janë mbledhur, KPA i ka mbetur të shprehet nëse do të pranojë kërkesën e Komisionerit Publik për shkarkimin e Islamajt apo do të lërë në fuqi vendimin e rikonfirmimit të KPK. Çështja e Edmond Ismalajt do të pasohet nga ajo e gjyqtares së Tiranës, Alma Brati.
Njësoj si Islamaj, edhe Brati u ankimua në KPA nga Komisioneri Publik për të kërkuar përjashtimin e saj nga sistemi i drejtësisë pas rikonfirmimit në detyrë nga ana e komisionit të vetingut. Gjatë muajit dhjetor të vitit 2018 organi kolegjial vendosi të rihapë hetimin për Alma Bratin, duke kërkuar edhe një herë informacione shtesë në disa institucione për pasurinë e saj. Sakaq, në datën 31 janar pritet që Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë një vendim për fatin e saj. Siç duket, muaji janar do të jetë një muaj i vrullshëm për KPA dhe i mbushur me punë./Sot