Kina dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë bisedime mbi tregtinë në nivel ministror më datë 7 Janar në Pekin, ndërkohë që të dyja palët po përpiqen të përfundojnë përplasjet tregtare që kanë ndikuar dy ekonomitë më të mëdha në botë si dhe tregjet financiarë.
Të dy vendet janë përfshirë në një luftë tregtare për pjesën më të madhe të 2018-ës, duke ndërprerë fluksin e qindra miliardë dollarë mallrave dhe rritur shqetësimet mbi ngadalësimin e ekonomisë botërore.
Ekipi amerikan i drejtuar nga Përfaqësuesi i Tregtisë Jeffrey Gerrish, do të vizitojë Kinën për të zhvilluar bisedime pozitive dhe konstruktive me homologët kinez, sipas një deklarate të Ministrisë së Tregtisë në Kinë.
Ministria deklaroi gjithashtu se të dyja palët kanë konfirmuar datën e takimit në një telefonatë ketë të Premte.
Në Samitin e Argjentinës, presidenti Donald Trump dhe homologu kinez, Xi Jinping, ranë dakord për një armëpushim në luftën tregtare dhe që të mos vendosin tarifa për një periudhë 90 ditore që nisi më 1 Dhjetor.
Tashmë, Kina dhe SHBA përballen me afatin e muajit Mars për të përfunduar negociatat, përndryshe Washingtoni do të vazhdojë me rritjen e madhe të tarifave që ishin projektuar për datën 1 Janar.
Trump ka thënë se bisedimet kanë bërë progres, por shton se është ende e paqartë nëse Pekini do t’i bindet kërkesave të SHBA për disbalancat tregtare, aksesin në treg dhe vjedhjen e pronës intelektuale nga Kina.