Manchester City “thyen” Liverpoolin pas 21 javësh. Është ky verdikti i supersfidës së Premier League, me kampionët në fuqi të Anglisë që mposhtën 2-1 kryesuesit e “The Reds”.
Të besuarit e Pep Guardiolës morën iniciatën për të sulmuar të parët, por rastin më të pastër e kishin miqtë. Ishte senegalezi Mane që kishte në këmbë shansin e artë për të kaluar Liverpoolin në avantazh, por milimetrat dhe ndërhyrja e Laporte i ngrinë buzëqeshjen fytyrës së Jurgen Klopp.
E, të shtyrë nga ky rast, Guardiola hodhi në sulm të gjithë arsenalin e tij, me Aguero që zhbllokoi shifrat pak para fundit të pjesës së parë. Me rikthimin në fushë, ishte Firminho ai që vendosi baraspeshën, me brazilianin që nga fare pranë shndërroi në gol krosimin e Robertson. I shpejtë ishte reagimi i Cityt, me Sane që shënoi golin e fitores 18 minuta përpara fundit.
Me këtë fitore Manchester City dërgon në -4 distancën me Liverpoolin kryesues, duke hapur kështu luftën për titull. Ndërkohë, kjo është humbja e parë e Liverpool në këtë sezon, që numëron 54 pikë në krye të klasifikimit.