Nga Flogert Muça
Shqipëria është vendi ku zhvillimet politike kanë një ritëm të shpejtë dhe shumë çështje të ethshme në diskutim të përditshëm. Reforma në drejtësi, lufta ndaj krimit, çelja e negociatave me BE-në, marrëveshja me Greqinë janë temat që rrihen më së shumti.
Janë tema që kanë mbërthyer prej kohësh opinionin publik dhe politikën e cila në të gjitha rastet është e ndarë si me thikë. SHBA-BE dhe qeveria janë në një anë kur vjen puna për reformimin e drejtësisë. Janë poashtu në sinkron përshëndetëse të suksesit të policisë, prokurorisë e doganave kundër drogës (bllokimi i 613 kg kokainë në Durrës) dhe inkurajuese për vazhdimin e betejës me krimin me të njëjtin përkushtim. Edhe për negociatat BE-ja po punon më shumë për Shqipërinë se vetë opozita shqiptare.
Në kohën kur zyrtarët më të lartë të BE-së inkurajojnë vazhdimin e reformave në Shqipëri dhe përgëzojnë vendin për ecurinë e deritanishme duke lobuar që të çelen negociatat Shqipëri-BE, opozita po punon më çdo mjet për ta denigruar vendin duke e nxjerrë në mediat e huaja si nënën e gjithë të zezave.
Ç’ka thashë më lart nuk janë të reja si fakte. Ato dihen nga secili prej nesh. Dihet edhe fakti se sa herë në Shqipëri ndodh një gjë e përshendetshme nga partnerët ndërkombëtarë dhe opinioni publik shqiptar, del opozita dhe sulmon me çdo mjet nga Tirana në Moskë vendin. Qëllimi i saj tanimë është i qartë: Imazhi i Shqipërisë nuk duhet të rikuperohet pasi përbën problem politik për zgjedhjet e ardhshme. Kjo mani dhe ky vision regresiv ka bërë jo pak punë për ta penguar Shqipërinë në rrugën e saj të ndryshimit. Dhe ç’është e vërteta në jo pak raste kanë arritur ta nxijnë me sukses vendin këto skema të planifikuara nga selitë e dy partive kryesore opozitare. Të paktën këtë meritë askush nuk duhet t’ia mohojë PD-së e LSI-së.
Por unë nuk dua të jem global në këndvështrimin tim, siç është opozita e vendit tim. Unë preferoj të jem lokal dhe të flas lokalisht për paradokset e opozitës që nuk dëmtojnë thjeshtë Shqipërinë në sy të botës, por fyejnë përditë shqiptarët dhe inteligjencën e tyre. Përpos faktit që e gjithë balta ndaj vendit është një hakmarrje ndaj shqiptarëve që i nxorri në opozitë këto dy parti, me strategjinë e tyre të komunikimit brenda vendit janë kthyer në qesharakë kur kanë vendosur njerëzit që do bëjnë opozitë.
Ku çalon strategjia e tyre e komunikimit veç mesazhit që e kanë të mbrapshtë që në nisje?
Gabimi i dytë i opozitës në komunikim janë burimet njerëzore që ajo ka zgjedhur të bëjë opozitën e ditës.
Për shembull, në PD opozitën e bën Grida Duma, Ervin Salianji, Klevis Balliu dhe Basha me Berishën. Këta dalin në media, këta dalin në mediat sociale. Tre të parët flasin për hallet e popullit dhe pse harta e Shqipërisë për ta është nga Tirana në Durrës. Ndërsa kryetari i tyre e ka hartën më të zgjeruar sesa thjeshtë Tiranës-Durrës. Basha shkel edhe në Holandë fundjavave për pushime me familjen. Dhe shumë mirë bën. Sa për doktorin, është e tepërt të them më shumë nga çkanë thënë kolegët pas sherrit të tij me gazetarin Artan Hoxha.
Partia e dytë opozitare, LSI-ja, ka ushtarë të parë në luftën politikë të ditës Petrit Vasilin. I cili në Wikipedia del akoma që është kryetar i LSI-së e që në fakt po ta shohësh nga reagimet që bën në Facebook-un e tij e media, ngjan i tillë pas dështimit të këpucës.
Vasili është ai që flet për gjithçka me kopetencë të plotë. Ekonomia, drejtësia, mjedisi, arsimi, droga, krimi, korrupsioni, diplomacia dhe gjithëçfarë përmban diskuri politik, janë fushat ku Vasili iu del për zot. Në të gjitha fushat që përmenda Vasili flet si ekspert dhe në finale ajo që ai thotë është që “Shqipëria është e zezë, sterr e zezë”.
Kjo strategji komunikimi që PD dhe LSI kanë zgjedhur të përdorin në këto muaj ku Shqipëria zien nga çështje të rëndësishme e nxjerr opozitën edhe njëherë qesharake. Është pikërisht ky një ndër problemet e mëdha të opozitës dhe të vendit që ka këtë opozitë. E cila përpos faktit që nuk ka një vizion të qartë dhe energji për të bërë opozitë reale nuk ka as një strategji komunikimi e komunikues të mirë që të paktën të mos tallen kaq shumë publikisht.