Jari sot u zgjua me një ndjenjë të fortë ankthi, që i shtohej edhe nga ëndrrat e këqija që kishte parë me Doktorin. Gjithë natën e kishte kaluar pothuajse pa fjetur fare.
Në fillim ishte marrë me organizimin e rrahjes së emigrantëve, që kishin ardhur të protestonin para kryeministrisë, por kishte dështuar me sukses të plotë.
Luli nuk i dilte në telefon, sepse ishte nisur për në Holandë, menjëherë pasi një deklarate të shkurtër tek Astiri. Kurse “gishtpreri” (Florenc Hoxha) nuk i kishte marrë gjë përsipër. I kishte thënë se nuk kishte pse sakrifikonte kot, kur asnjëri nga ata që mund t’ia njihnin nderin nuk ishin në Shqipëri.
Xhafa me kunatin kishin një javë që kishin mbërritur tek shtëpia në Utrecht, ndërsa Luli ishte nisur i fundit, vetëm pasi u sigurua që nuk kishte më asnjë rrezik nga protestat. Të tjerët në PD, ose nuk e njihnin fare, ose e urrenin për vdekje, ndaj edhe “gishtpreri” i kishte rënë shkurt të mos e bënte fare një punë, që nuk do t’i kishte duk.
Por Jarit nuk i dilte inati me këta emigrantët e shitur, të cilët dje dhe pardje në protestë kishin akuzuar opozitën, njësoj si qeverinë. Dhe pasi u rrotullua një copë herë nëpër shtëpi, vendosi ta bëjë zemrën gur dhe t’i telefonojë Doktorit.
-“Alo, mirëdita, Jari ju shqetëson,- tha me gjysmë zëri dhe iu dukën shekuj sekondat derisa nga ana tjetër u dëgjua përgjigja.
– Çfarë ka ndodhur, o zotëri?
U përpoq t’i shpjegojë me pak fjali hallin dhe pamundësinë për t’u lidhur me Lulin, si arsyen e fortë që e kishte shtyrë për ta telefonuar. Për çudinë e tij Doktori e kuptoi menjëherë, madje i tha se kishte plotësisht të drejtë.
-Lulit nuk duhet t’ia marrim për të madhe, që ka ikur bashkë me familjen (dmth me vjehrrin, gruan dhe kunatin, se ata ka ai tani, o zotëri), ngaqë i janë qepur me gur në trastë Lali Plehu me Karlo Bolinon për ato shtesat në taracat e pallateve, ku ka shtëpitë e veta.
Kurse atyre pisave që kanë ardhur nga nga Londra dhe diaspora, gjoja kundër qeverisë, ua ndreq unë mirë, se i kam dëgjuar vetë çfarë kanë thënë për ne këto ditë. Do të porosis Xhelalin dhe këta që u zgjodhën rishtazi në Tiranë që të mos u dërgojnë asnjë protestues dhe s’ka nevojë fare t’i rrahim. Do ta bëj të zi si këpuca atë nipin Teme Sejkos, që është i vetmi çam në botë, që flet shkodrançe.
Ky vit që po ikën na mësoi se rrezikun më të madh si opozitë e kemi nga protestat, ndaj duhet të bëjmë ç’mos që të mos i lëmë të krijohen. Por edhe po shpërthyen pa dijeninë tonë, duhet të bëjmë gjithçka për t’i fikur. Luli ia ka marrë dorën shumë mirë kësaj pune tani dhe ne thjesht duhet të kemi mendjen se mos na ndodh diçka kur ai është me pushime.
Sepse këta të gjithë sikur i paguan Rama dhe Sorosi, që sa thonë një llaf të keq për qeverinë, kujtohen dhe na kthehen e na bëjnë rezil edhe neve.
-Jari ju kupton drejt, Doktor – tha me zë të plotë, me krenarinë e atij që i është dëmshpërblyer mundimi.
Dhe fiks pas një ore Jari pa me sytë e vet se protestuesit para kryeministrisë ishin rralluar shumë në krahasim me ditët e tjera. Atëherë e kapi një mallëngjim i fortë për Doktorin dhe mendoi se ai me Lulin ishin njerëzit më me fat në botë që e kishin. Hodhi sytë nga televizori dhe pa që protestuesit e fundit po shpërndaheshin.
-Për këtë vit na e morët të keqen, legena – gati sa nuk thirri dhe nga stresi e zuri një gjumë tmerrësiht i thellë, megjithëse nuk ishte as mëngjes, dhe as pasdite.