Truku nuk mund të shërojë plagët, por mund ti bëjë ato më pak të dhimbshme. Është kjo sfida e një artisteje ruse, Goar Avetisyan, që nëpërmjet aftësisë së saj profesionale, ndihmon femrat e sëmura me kancer ose me patologji të rënda në lëkurë të bëhen të bukura. Me krem pudër, laps, korrektor, buzëkuq dhe shumë nuanca me ngjyra, Goar i bën këto femra të ndjehen yje të vërteta, duke i dhuruar atyre atë bukuri të cilën duket se e kishin humbur.
Në profilet e saj sociale Goar vendos foto përpara dhe pas transformimeve, duke treguar që mund të kthehesh të bëhesh një femër e bukur dhe seksi pavarësisht vuajtjeve dhe lodhjes nga sëmundjet.
Të shumta janë historitë që ajo tregon ngjitur me fotot e postuara. Është Jamilya, me origjinë nga Daghestan, e cila ka një lëkurë të dëmtuar për shkak të një incidenti të ndodhur kur ajo ishte 2 vjeç e gjysmë.
Më pas Julia, e sëmurë me kancer, që falë pamjes së saj të re ka arritur të pranojë dhe të përballojë me një shpirt ndryshe ciklin e kurimeve të saj. Lily, ka bërë dy operacione transplanti të lëkurës për shkak të funksionimit të keq të një vene. Goar ka arritur të mbulojë të gjithë shenjat e saj, duke e bërë të ndjehet e mrekullueshme brenda dhe jashtë.