Nga Flogert Muça
Është bërë e udhës që opozita për tu dukur e besueshme në sytë e opinionit publik, përdor mediat ndërkombëtare për të botuar akuzat e tyre dhe shkrime që nxijnë Shqipërinë me para që nuk iu dihet burimi. Natyrisht, këto shkrime sillen me vrull në portalet pranë PD&LSI duke i sjellë ato si qëndrime të mediave të huaja.
E gjitha kjo është një strategji komunikimi e njohur dhe e vjetër, në kushtet kur PD dhe LSI (liderët të parët) nuk dalin nga Tirana për tu njohur me problemet e qytetarëve por zgjedhin të komunikojnë me ta nëpërmjet medias. Kot nuk thonë që paraja e tepërt të bën dembel.
Ditët e fundit (por edhe më parë) nga kampi i LSI është Petrit Vasili i cili ka ndërmarrë një fushatë intensive nxirjeje ndaj Shqipërisë, ndërsa nga krahu i PD-së kampioni mbetet Basha që është në luftë të fortë me doktorin se kush e nxin më shumë vendin.
I gjithi ky debat i cili është dikutuar edhe më parë, në fakt ka një konkluzion të thjeshtë: Të hedhësh baltë mbi Shqipërinë në mediat shqiptare, mund të quhet luftë politike e brendshme, por ta nxish atë në mediat e huaja duke bërë çmos nga SHBA-ja në BE e Rusi për të publikuar shkrime negative, është një dëm i madh dhe i parikuperueshëm që i shkaktohet vendit dhe shqiptarëve. Në kushtet kur e kanë të pamundur të bëjnë opozitë reale dhe kur nuk munden të nxjerrin as 10 mijë veta në shesh për të protestuar, PD dhe LSI kanë zgjedhur të bëjnë gabimin e pafalshëm, atë të dëmtimit të Shqipërisë për hir të kapitalit të tyre politik. Por, fatkeqësisht, sa më shumë ne njerëzit e medias e themi dhe përsërisim kë fakt të turpshëm, aq më shumë opozita vazhdon me strategjinë e saj ogurzezë.
E gjithë kjo lojë e zezë që siç thashë edhe më lart në LSI po udhëhiqet për momentin nga Vasili, nuk ka asnjë bazë të vërtete. Po flasim pikërisht për aksionin e Doganave, Policisë dhe Prokurorisë Shqiptare në Durrës para dy ditësh ku u bllokuan 613 kg kokainë e pastër, ose e thënë ndryshe iu hoqën nga duart plot 180 milionë euro krimit. E çuditshme por e vërtetë është se në kohën kur nga SHBA te BE, nga Antimafia Italiane te mediat ndërkombëtare përgëzojnë Shqipërinë për luftën ndaj krimit dhe super-aksionin e policisë, Vasili dhe Basha dalin dhe nxijnë policinë dhe Shqipërinë.
Arsyet?
Në rastin më të mirë do të ishte një hakmarrje ndaj shqiptarëve që i nxorrën në opozitë, në rastin më të keq do ishin të përfshirë apo përlyer në trafikun e asaj kokaine. Gjithësesi, duke nxirë Shqipërinë edhe në rastin kur e gjithë bota i vë notën 10 për luftën ndaj krimit, Vasili dhe Basha po hakmerren ndaj të gjithëve ne. Po hakmerren duke dëmtuar biznesin dhe investimet e huaja, të cilat tremben nga Shqipëria që opozita propagandon në mediat e huaja. Po hakmerren ndaj studentëve që studiojnë jashtë dhe që shihen si kriminelë. Po hakmerren ndaj emigrantëve që janë me letra në vendet e BE-së prej vitesh dhe që ndihmojnë familjet e tyre në Shqipëri me të ardhura. Po hakmerren ndaj seicilit që përpiqet që t’i ndryshojë imazhin Shqipërisë së 1997-ës, Gërdecit, 21-janarit e të tjerave maskaradave si këto.
E gjithë kjo hakmarrje e Vasilit, Bashës e Berishës e rikthyer fuqishëm javën e fundit, flet për frikë nga çelja e negociatave, frikë nga drejtësia e drejtë dhe nga ligji që me shumë gjasë nuk do të ketë më Maliq që e thyen. E gjithë kjo frikë e akumuluar nga opozita ka shpërthyer si mutacion komunikimi duke ndërmarrë fushata denigruese për vendin, vetëm e vetëm që ky vend të mos besohet dhe shqiptarët të mos pranohen si qytetarë europianë.