Nga Ilnisa Agolli/
Filmi shqiptar është dritarja e vetme nga ku mund të shohim një kohë të pajetuar dhe të kuptojmë të vërtetën e madhe të munguar prej vitesh.
Kinematografia shqiptare u zhvillua pas vitit 1945. Deri në vitet ’70 bashkëpunimi me shoqëritë filmike të huaja duket se i do i jepte dritën jeshile historisë së artit tonë të shtatë, por jo. Shqipëria u izolua sakaq dhe sipas udhëzimeve të kohës artistët shqiptarë ishin të detyruar ta prodhonin atë me forcat e veta. 14-të filma do të shfaqeshin çdo vit, një shifër marramendëse e cila as mund të imagjinohet në ditët tona.
Në vitin 1978 pas xhirimeve të kryera në zonën e “ish-metarulgjikes”, regjisori Gëzim Erebara do të mbërthente ballë ekranit qindra shqiptarë për të parë fimin e tij ” Vajzat me Kordele të Kuqe”.
Nuk ishte aspak e lehtë që përgjatë atij sistemit të kishe lirinë që mund të doje në kamera apo skenar. Episodet me skenat masive të vajzave do të hasnin disa vështirësi që nga fotografitë e bëra në gjithë gjimnazet e Tiranës, deri në dyndjet e mëdha të grave ku gjithësecila kërkonte të merrte autorësinë në gjërat që kishte bërë duke ndërhyrë në skenarin e Erebarës dhe Luan Ramës.
Pjesa më e madhe e tyre sapo kishte mbaruar klasën e tetë ndërsa pjesa tjetër në gjimnaz. Në pamje të parë duket se për regjisorin nuk ishte e vështirë të gjente aktoren protagoniste. Por nëse kthehemi 40-të vjet pas, arrijmë të bindemi për të kundërtën. Ky proçes ishte një tjetër sfidë. Një nga ato që ofron jeta hera-herës dhe që në këtë rast filmin do ta udhëhiqte i njëjti emër: Jeta.
Vajza që trazoi të vërtetën e fshehtë të asaj kohe duke shkaktuar demonstratën më të madhe në kryeqytetin ku fashistët që e dënuan tragjikisht duke e ekzekutuar. Për aktoren Marjeta Ljarja, asokohe vetëm 22 vjeç kjo ishte një peshë jo e vogël fati që do të mbante në supe, mimikë, emocione dhe kujtesë. Sytë i shkëlqejnë kur rrugëton në nostalgjinë e personazhit që interpretoi dhe sytë i përloten kur kujton skenën e burgut.
“Unë për herë të parë në jetën time po shihja një burg. Dhe vetëm hyrja në atë qeli më krijoi një trishtim të jashtëzakonshëm. Thoja me vete: Po të të ndyhet gjithë jeta e të hysh në të vërtetë këtu? Të të mbyllet çdo ëndërr dhe të mos dalësh më? E mbaj mend atë gjendje që më kaploi. U trondita! U trondita dhe qava. Ishte një lot i dashurisë për jetën. Mirëpo pas dublave që kisha bërë me veten kjo s’duhej të ndodhte në xhirimin e skenës, pasi heroi nuk duhet të qante. Paskësaj m’u desh të gëlltisja çdo gjë dhe të dukesha e patronditur. E ftohtë.”
Jeta u anëtarësua në një grup ilegal plot me të reja antifashiste duke i dalë kundra mësuesve për të kënduar himnin antifashist. Janë të gjithë personazhe që mjeshtërisht u interpretuan nga figura emblematike të skenës dhe ekranit, ikona të kinematografisë shqiotare: Sandër Prosi, Drita Pelinku, Tinka Kurti, Anisa Markarian, Vangjel Heba, Shpresa Bërdëllima etj. Njerëzit e artit janë kultura e një kombi dhe artistët tanë, pjesa më e madhe e të cilëve nuk jeton më, ia dolën të na thonë se “Arti është pasqyrim i jetës me mjete të bukura”. Sikundër janë edhe idealet në filmin
“Vajzat me kordele të kuqe“.
Sepse njeriu është i bukur kur ka ideale. Njeriu është i bukur edhe kur ëndërron për to. Pasi në fund nuk ka sistem apo shoqëri pa ideale.
Në thuajse të gjithë filmat e xhiruar para 30-40 vjetësh përtej ideoligjisë dhe kanoneve të realizmit socialist, në themel ishte njeriu që luftonte për liri, fshatari që mbillte grurin dhe misrin, edukatorja, nëna njeriu i punës. Sidoqoftë, sot të gjitha këto duken si mish i huaj që na pengon nuhatjen duke zbehur kësisoj dëshirën dhe mbi të gjitha mundësinë për të realizuar gjëra me të tillë përkushtim. Përse?
E thjeshtë: ç’ështje dashurie. /Konica.al