Viti 2018 i ka dhënë fund qetësisë dhe dashurisë mes presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama.
Ndonëse ishin socialistët ata të cilët e bënë Metën president, ky i fundit u ka dhënë një sërë goditjesh në distancë.
Sot ka bërë një përmbledhje të përplasjeve Qeveri-Presidencë dhe rezulton se Ilir Meta ka ecur më keq se paraardhësi i tij, Bujar Nishani.
Kjo pasi në një vit e gjysmë të Presidencës së tij, Ilir Meta ka thyer rekordin e Nishanit, duke bllokuar plot 9 nisma të qeverisë.
Sipas përllogaritjeve të gazetës, tregues i përplasjeve Rama-Meta janë kthimi mbrapsht i 6 ligjeve që mazhoranca i ka dërguar presidentit për t’i dekretuar.
Dy prej tyre kanë të bëjnë me teatrin, pasi Meta ktheu dy herë nismën për shembjen e godinës, siç është ligji për projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar.
Ligji tjetër që Meta ka kthyer mbrapsht është ligji për disa ndryshime për tatimin mbi të ardhurat për lojërat e fatit.
Ndërsa një tjetër ligj që nuk ka marrë “bekimin” e Metës duke mos u dekretuar është ai për tarifat gjyqësore.
Ndërkohë që më tej kreu i shtetit i ka kthyer mbrapsht qeverisë për rishqyrtim ligjin për buxhetin e vitit 2019.
Ligji i gjashtë që Meta i ka kthyer mbrapsht qeverisë ka të bëjë me ligjin për disa ndryshime për tatimin mbi të ardhurat për dividentin.
Këto lëvizje të kreut të shtetit, i cili i ka kthyer mazhorancës plot gjashtë ligje duke mos ia dekretuar, tregojnë qartë se Ilir Meta ka thyer rekord e Bujar Nishanit.
Ky i fundit, edhe pse ishte një president i emëruar në atë post nga opozita e sotme, brenda vitit 2016 i ktheu qeverisë vetëm 2 ligje.
Megjithatë, edhe mazhoranca e sotme nuk është kursyer ndaj Metës, pasi të gjithë ligjet që presidenti i ka kthyer, ia ka rrëzuar, ndërsa po ashtu i rrëzoi edhe kandidaturën e zonjës Vitore Tusha për në krye të KLSH.
Mazhoranca i ka marrë për rishqyrtim Metës vetëm ligjin për projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar.