Në një intervistë për Gazetën Shqiptare, regjisori Mevlan Shanaj ka kujtuar ngjarjet e vitit 1990 që ndryshuan sistemin në Shqipëri.
Ndër të tjera ai ka folur edhe për angazhimin e Edi Ramës në ato ditë dhe refuzimin e Sali Berishës për t’i dhënë fjalën në një miting.
“Në mitingje të tjera si ai i intelektualeve para stadiumit “Qemal Stafa”, u paraqit Edi Rama me Ardian Klosin, të cilët kërkonin të flisnin në kohën që po fillonte mitingu. Berisha, i cili na tha se emrat e atyre që do flasin janë paraqitur në polici ku është dhënë leja, ndërsa emrat e këtyre që po kërkojnë të flasin nuk janë paraqitur.
Me gjysmë miratimi apo me një kthim shpine të Berishës duke qenë në mikrofon i kam dhënë fjalën pasuesit Edi Rama, i cili foli më ashpërsisht nga të gjithëve ne. Po ashtu, në mitingje apo takime të tjera të hapura apo të mbyllura si në Korçë, Maliq, apo të rastësishme në Delvinë e Sarandë, minierën e Valiasit, ku kam marrë pjesë, kam theksuar se tashmë jemi për ardhjen e një mendësie tjetër, atë të shprehjes së lirisë së mendimit. Edi Rama në mitingun e intelektualëve që u zhvillua në janar të vitit ’91 tha: “Na skuqi si rusë, na zverdhi si kinezë, na nxiu si shqiptarë, Enver Hitler”, kujton Shanaj.
Në intervistën për gazetaren Valentina Madani, Mevlan Shanaj thotë se PD-ja e sotme nuk ka asgjë të përbashkët me Partinë Demokratike që u themelua në dhjetor të vitit 1990. “Partia Demokratike jo vetëm që është larguar nga idealet e dhjetorit, por nuk ka asnjë lidhje me ato ideale të pastra. Pastrimet me njerëzit e ndershëm dhe vendosja e të ardhurve në skema të gatshme fitimi dhe mohimi kanë sjellë rezultate dramatike për PD-në”, shprehet Shanaj.