Struktura e Posaçme Antikorrupsion, organi më i ri i sistemit të drejtësisë do të ketë mundësinë të hapë çështje që janë mbyllur nga prokurorët vite më parë. Ky është një paralajmërim i fortë për të zgjidhë zyrtarët që kanë mbyllur çështjet e tyre korruptive.
Me ngritjen e organeve të reja të drejtësisë do të ketë edhe rihapje të dosjeve të bujshme. Një gjë të tillë e paralajmëroi dje avokati Saimir Vishaj, ndërsa zbuloi edhe mënyrën sesi do të mund të realizohet një diçka e tillë.
Në një prononcim për gazetën “Sot”, Vishaj deklaroi se me konstituimin e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion do të jetë e mundur që të ketë rihetim për dosjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit që nga viti 1991. Sipas tij, një të drejtë të tillë SPAK-ut ia jep ligji, ndërsa sqaroi se pjesë e këtyre dosjeve janë edhe ato që njihen si çështje të nxehta ose dosje të bujshme.
“Të gjitha veprat penale që kanë filluar nga prokuroritë e rretheve të ndryshme në lidhje me korrupsionin dhe që janë pezulluar ose pushuar, ligji ia jep të drejtën SPAK që të vendosë shfuqizimin e vendimit të pushimit apo të pezullimit. Përmes strukturave të reja do të jetë e mundur që të ketë edhe një rihapje dosjesh të bujshme. Objekt i punës së SPAK është korrupsioni dhe krimi i organizuar. Këtu mund të bëjë pjesë edhe afera e Rrugës së Kombit. Nëse një çështje është korrupsion dhe krim i organizuar, sigurisht që do të kalojë në SPAK”, tha Saimir Vishaj.
Kryetari i Shoqatës së Avokatëve Penalistë nënvizoi se ngritja e SPAK do të thotë që të gjithë zyrtarët apo politikanët që i kanë shpëtuar drejtësisë duke mbyllur dosjet në ngarkim të tyre tani janë të rrezikuar. Vishaj shpjegoi se dosjet e tyre do të jenë objekt i punës së SPAK, ndërsa shtoi se paralelisht do të vijojë edhe hetimi pasuror për ta.
“Edhe sikur ata, drejtorë, ministra, ish-ministra, ish-kryeministra, presidentë, të cilët kanë pasur dosje korrupsioni dhe që këto dosje në një farë mënyre janë urdhëruar nga shefat e tyre për tu mbyllur, SPAK do t’i hapë pavarësisht ngjyrimeve politike këto dosje. Prandaj ka zyrtarë të lartë që janë të tmerruar nga kjo reformë. Kjo nuk varet më as nga Prokurori i Përgjithshëm, as nga Presidenti i Republikës. SPAK ka të drejtë totale të hetojë çdo zyrtar, madje edhe Prokurorinë e Përgjithshëm, ka pavarësi totale. Kjo është një risi. Do të shkojnë paralelisht, si dosjet për korrupsion, edhe dosjet për pastrim të produkteve të veprave penale”, u shpreh Saimir Vishaj.
Të rrezikuarit
Hapja e dosjeve të bujshme do të thotë se më të rrezikuarit nga SPAK janë emrat e ish-kryeministrit Sali Berisha, presidentit Ilir Meta dhe kreut të PD, Lulzim Basha. Për të tre këta emra ka çështje nën hetim apo ka pasur edhe më parë. Nëse i marrim me radhë emrat, ndaj presidentit Ilir Meta ka dy hetime.
I pari është gjatë kohës që ai ishte ministër i Energjisë, ku u akuzua nga Dritan Prifti për korrupsion. Pra bëhet falë për videon e famshme, por që kreu i shtetit doli i pafajshëm. Ndërsa akuza e dytë ka të bëjë me çështjen CEZ-DIA. Ndaj tij ka një padi nga juristi Romeo Kara. Sa i takon Berishës, ai është nën hetim momentalisht për “Shpërdorim detyre” mbi bazë të dy padive që ka bërë po juristi Romeo Kara. Në një padi ai akuzohet për shpërdorim detyre sa i takon privatizimit të ish-OSSH, ndërsa në padinë e dytë akuzohet për paktin me DIA.
Por firma e tij figuron dhe te shumë privatizime. Sa i takon Bashës, ndaj tij ka shumë akuza për shpërdorim detyre. E para është rruga Durrës-Kukës, ku ai i shpëtoi drejtësisë, ndërsa e dyta ka lidhje me lejet e dhëna kur ai ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës. Të gjitha çështjet e lartpërmendura që janë mbyllur mund të rihapen me ngritjen e SPAK.
Në listën e të rrezikuarve bëjnë pjesë edhe shumë ish-ministra të PD. Një pjesë e mirë prej tyre janë kallëzuar në prokurori për skandale, ku vlen të përmendim: Ridvan Bode dhe Sherefedin Shehu për skandalin me rrugën Durrës-Kukës, pasi morën kredi me interes shumë më të lartë se normalja; Genc Ruli dhe Florion Mima për privatizimin e OSSH; Arben Imami i paditur katër herë në prokurori për abuzime me tendera dhe me pajisjen e përgjimit, etj. pra të gjitha dosjet e bujshme me ngritjen e SPAK do shkojnë drejt rihapjes.