Dy persona u arrestuan me akuzën e mashtrimit, pasi i kanë marrë 25 personave shumën e 40 mijë euro, me pretendimin se do ti jepnin shtetësinë bullgare.
Operacioni u kodua “Shtetësia” dhe në pranga u vunë Armando Kitai 52 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për drejtim automjeti pa Leje Drejtimi dhe Fatina B., 25 vjeçe lindur në Gjirokastër dhe banuese në Tiranë.
“Arrestimi i të sipërpërmendurve u bë pasi këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë mashtruar 25 persona të ndryshëm, të cilëve u kanë marrë në total një shumë prej 40 000 Euro, duke u premtuar se do t’i pajisnin me pasaporta të shtetësisë bullgare”, sqaron policia.
Në cilësinë e provës materiale, të arrestuarve iu sekuestruan 2 aparate celularë dhe 112 dokumenta të ndryshme si: Certifikata personale dhe familjare, fotokopje të kartave të identitetit dhe Pasaporta, fotografi për dokumenta, kopje të ekstrakteve të llogarive bankare etj.
Materialet proceduriale në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Mashtrimi me pasoja të rënda i kryer në bashkëpunim” dhe “Falsifikimi i dokumentave i kryer në bashkëpunim”.