Mungesa e opozitës në Parlament ka bllokuar amnistinë për të burgosurit. PD e LSI u kthyen vetëm në fund të javës që lamë pas dhe kjo bëri që amnistia për vitin që po lamë pas të shtyhet.
Çdo vit amnistitë miratoheshin para festave, por këtë herë gjithçka është lënë për vitin që vjen. Për këtë gjë ka reaguar dje dhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila i ka bërë thirrje opozitës që të japë votën pro draftit, i cili kërkon 84 vota. Deklaratat e saj u bënë gjatë pjesëmarrjes në një festë të organizuar në burgun 325 në Tiranë me gratë e dënuara dhe fëmijët e tyre.
“Unë shpresoj fort që edhe ajo amnisti që ne e kemi propozuar të miratohet nga Kuvendi, pavarësisht se nuk është e thjeshtë se nuk varet vetëm nga mazhoranca qeverisëse, pasi do një shumicë të cilësuar të votave, por do t’i bëjmë thirrje në mënyrë të vazhdueshme, edhe përfitoj nga rasti që t’i bëj thirrje opozitës që ta votojë në Parlament amnistinë me qëllim që një pjesë prej jush të përfitoni dhe të ktheheni pranë gjirit të familjes”, tha Gjonaj gjatë festës së organizuar me gratë e IEVP “Ali Demi”.
Për këtë çështje ajo reagoi dhe në rrjetet sociale, ku deklaroi se me anë të amnistisë do u jepet gëzim shumë të dënuarve.“Festat marrin një tjetër kuptim kur nënat kanë mundësi të festojnë me fëmijët e tyre. Ishte një ndjesi dhe emocion i veçantë sot në IEVP 325 në Tiranë, t’ju krijonim mundësi grave të dënuara të takoheshin dhe kalonin disa orë me të vegjlit e tyre.
Krahas festës dhe haresë që sollën fëmijët në këtë institucion, u premtova grave të dënuara se do përpiqemi të miratojmë amnistinë në Kuvend, me qëllim që një pjesë e tyre të përfitojnë dhe të kthehen pranë gjirit të familjes”, tha ajo. Gjatë gjithë legjislaturës parlamentare PD dhe LSI nuk morën pjesë në seanca e komisione dhe të gjitha ligjet apo vendimet me 84 vota u pezulluan. Por mes atyre ishte dhe drafti i amnistisë. Megjithatë PD ka dhënë sinjale se dhe mund të mos e miratojë, pasi ka ngritur dyshime se bëhet për efekt elektoral.