Thomas Strakosha ka filluar karrierën e tij me Lacion pikërisht me një ndeshje ndaj Milanit. Po mbrëmë, përballë Milanit, një vit e gjysmë më vonë, ai tregoi se është kthyer në një nga emrat e mëdhenj të futbollit italian.
Portieri shqiptar ishte gjithmonë i sigurt përballë një prej skuadrave më në formë në Itali dhe në fund të ndeshjes priti dy penallti, që nuk mjaftuan gjithsesi që të dërgonte ekipin e tij në finalen e Kupës së Italisë. Por paraqitja e portierit nuk ka kaluar pa u vënë re nga mediat italiane e jo vetëm, të cilat i kanë thurur elozhe pa fund lojtarit shqiptar.
“Corriere Dello Sport” i ka vendosur atij notën 7,5 për paraqitjen e mbrëmshme, ndërsa “Gazzetta Dello Sport” i vendosi notën 7. Në të dy rastet, Strakosha ishte lojtari më i vlerësuar në radhët e Lacios për paraqitjen që kishte bërë në fushë.
Ndërkohë, “Eurosport” e cilëson të pafat futbollistin shqiptar, të cilin e ka vlerësuar me notën 7,5. “Dy penalltitë e pritura i shtohen disa ndërhyrjeve të mira ndaj Suso, Çalhanoglu dhe Kalabria. Për fatin e tij të keq, gjithçka është e kotë”, shkruan portali i rrjetit të njohur televiziv.