I ashpër në paralajmërimin e tij për mazhorancën ka qenë të premten ish-Kryeministri Sali Berisha, i cili nga foltorja e parlamentit paralajmëroi shumicën të pranonte amendamentet kushtetuese për vetting-un në politikë, ose përndryshe do të shkundeshin nga karriget.
“Edhe një herë ju bëj thirrje, momenti është kritik. Ju them se mund të bëni një gabim, më të rëndin që keni bërë ndonjëherë, nëse përdorni kartonët e zinj, të nxira të krimit siç i keni, në rast se ju përdorni sot këtu diktatin e krimit, si përfaqësues të tij, për të hedhur poshtë këtë amendament, i cili do të bënte historinë për shqiptarët.
Për ndryshe, ju garantoj se forca do t’ju shkundë nga kjo karrige. Për ndryshe bëhuni gati në rrugë dhe në sheshet e Shqipërisë do të ushtojë, ‘o djem rrëmbeni armët, ja vdekje ja liri.’ Kjo do jetë”, tha Berisha.
Por për deputetin socialist të Lezhës, Pjerin Ndreu ish-kryeministri Berisha këtë ka bërë gjithmonë. Ndreu në një intervistë për “Politika Online”, në gsh.al, i cilëson deklaratat e Berishës si lajthitje dhe sipas tij pushtetin e ka marrë dhe e ka mbajtur gjithmonë me dhu.në.
Sipas tij ku tension që po krijohet vjen për shkak se duan të bllokojnë reformën në drejtësi.
“Pse ka një tension. Reforma në drejtësi do luftojë korrupsionin. Është një projekt eksperimental që do aplikohet në Shqipëri. Është më e ashpra që aplikohet ndonjëherë në botë, ku do varet dhe eksportimi i saj në rajon”.