Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi u ka bërë thirrje të fortë strukturave të partisë së saj, të nisin aksionin e gjerë derë me derë në çdo familje shqiptarësh, për të përmbysur Edi Ramën.
Në një takim me strukturat në Elbasan, Monika Kryemadhi tha se Edi Rama ka uzurpuar jo vetëm PS, por shtetin dhe vendin.
Më tej ajo paralajmëroi Ramën që t’i bëjë llogaritë mirë, se do të ketë o fund të tmerrshëm, o tmerr pa fund.
Kryetarja e LSI foli edhe për ish-ministrat e LSI-së që votuan dje vettingun në politikë, duke i cilësuar të ndershëm dhe të pastër.
“Studentët janë në të drejtë të Zotit, në të drejtë të tyre, janë kërkesat më minimale. Nuk pranon Edi Rama të plotësojë kërkesat e studentëve sepse e gjithë paketa është 100 mln euro, por ditën e enjte Rama i fali me qindra miliona euro 5 apo 10 vetave, oligarkë që nuk i kanë paguar buxhetit të shtetit.
1/3 e këtyre parave dalin që studentët shqiptarë të jetojnë si të gjithë studentët në Europë. Por Edi Ramës nuk i dhimbsen studentët shqiptarë dhe rinia shqiptare sepse nuk do kishte emigruar siç ka emigruar. Është shumë e thjeshtë urrejtja që ka Edi Rama për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Ata njerëz që votuan dje vettingun, ata njerëz të LSI-së që kanë qenë në pushtet dhe janë sot në LSI, janë të ndershëm dhe të pastër dhe janë dinjiteti ynë.
Për të gjithë ata që e kanë përdorur si trampolinë LSI dhe sot janë pjesë e tepsisë, janë turpi i LSI-së. Ata që nuk votuan vettingun treguan që ata janë hajdutët, janë kriminelët, janë ata që nuk duan integrimin.
Vota dje në parlament tregoi që PS është e kapur nga një sekt kriminal.
Mos mendoni se Rama do ikë vetë, nuk mbaron pilafi në kazan, atë do ta largojmë ne, nuk e largojnë partitë politike por do ta largojnë shqiptarët, dhimbjen nuk e ndjemë ne, as deputetët, por shqiptarët, familjarët.
T’i bëjë llogaritë mirë Rama, se do të ketë o fund të tmerrshëm, o tmerr pa fund. Rama të mendojë mirë, sepse do ta ngrenë zgupthi, jo burrat, por gratë, sepse e kanë ndarë mendjen”– tha kryemadhi.