Ata ishin të gjithë fare të rinj. Nga 17 deri në 24 vjeç. U shpallën armiq dhe u dënuan me nga 3-15 vjet heqje lirie, sepse u përpoqën të arratisen në “Italinë fashiste”.
Vetëm dy vjet pas ngjarjes së bujshme në Durrës, prej së cilës zyrtarisht mbetën tre të vdekur dhe u shpall një “Hero i Popullit”, një tjetër valë kundër arratisjeve përtej detit do të përfshinte Durrësin. Ishin plot 10 veta, të gjithë të rinj, të pashkollë, gati analfabetë, të cilët u arrestuan dhe u dënuan me burg.
Pasi publikoi dokumentet për ngjarjen e vitit 1947, mbi të cilën u mbështet filmi “Duel i heshtur”, ish-drejtori i Arkivave të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi, publikon një tjetër dokument, që dëshmon për “pjesën e dytë” të filmit.
Dalin sërish në dritë personazhet e historisë së dy viteve më pas. Mes 10 të dënuarve, edhe vëllai i njërit prej të vrarëve prej Heroit të Popullit Spiro Kote, i cili u akuzua se u përpoq të vriste këtë të fundit. Ai u dënua me 20 vjet burg. “Dy vjet pas ngjarjes së 1 qershorit 1947 me protagonist ushtar Spiro Koten e me pasojë vrasjen e kapter Vlash Bushit (19121947), marinar Xhemal Kërniqit (19201947) dhe marinar Enver Kruçit (19241947), u dënua një grup prej 10 personash. Në mes tyre ishte edhe vëllai i Xhemalit, 22 vjeçari Fadil Mustafa Kërniqi.
Ata u akuzuan se do arratiseshin në Itali me njërën nga varkat (kështu shkruhet në vendim) “Korbi” ose “Butrinti”. Fadili akuzohej ndër të tjera se do vriste Spiro Koten. Me vendimin nr.112, datë 25.3.1950, të Gjykatës Ushtarake Tiranë, Fadili u dënua me 20 vjet burgim. Të tjerët u dënuan me 3-15 vjet burgim. Ky vendim u la në fuqi nga Gjykata e Lartë Ushtarake me vendimin nr.261, datë 28.1.1950. Fadil Kërrniqi u arrestua më 4.6.1949 dhe u lirua nga burgu më 9.4.1963 kur ishte duke vuajtur dënimin në repartin e punës së detyruar nr.309 në Tiranë”, shkruan Dervishi, i cili gjatë valës së debatit për filmat e realizuar përpara viteve ’90 publikoi “listën e zezë” të filmave të mbështetur mbi ngjarje reale, por që i shtrembëronin dukshëm ato. Një ndër këta filma, sipas tij, është edhe “Duel i heshtur”.
DOKUMENTI
Në dokumentin që daton më 28 janar të vitit 1950, jepen të dhëna për 10 të ndaluarit, jetëshkrimet e tyre, si dhe akuzat. Grupimi prej dhjetë vetash akuzohet se është organizuar “kundër pushtetit popullor”, duke rrezikuar sigurinë kombëtare, duke tentuar të arratisen në Itali. Madje janë përpjekur edhe të armatosen që t’i kundërpërgjigjeshin në çdo rast policisë apo forcave të Sigurimit të Shtetit.
“Me gjithë vështirësitë e shkaktuara gjatë procedimit gjyqësor, të pandehurit me qëllim që të fshihnin të vërtetat dhe kështu t’i shpëtonin përgjegjësisë penale, prapëseprapë, nga Gjykata e Faktit është provuar plotësisht se të pandehurit Fadil Kërniqi, Thoma Nako, Odise papajani, Bexhet Carvoj, Nikolla Behari, Ali Bullari, Llesh Ndreu, Kristal Nushi, Selami Deliallisi dhe Prokop Shollaku të bashkuar në një grup kundërshtar me qëllim që të arratiseshin në Italinë fashiste me anë të motoskafëve, për të rrezikuar sigurimin e jashtëm të Republikës Popullore të Shqipërisë.
Më aktiv në këtë organizim rezulton i pandehuri Fadil Kërniqi, i cili është i predispozuar në rrugën armiqësore ndaj Pushtetit, mbasi i është vrarë vëllai i tij Xhemal Kërniqi nga Heroi Kombëtar Spiro Kote për shkak tradhtie, edhe i pandehuri Fadil ndjek rrugën e poshtër të vëllait të tij, organizon grupin për t’u arratisur n’Itali dhe vendos të vrasë Heroin Kombëtar, Spiro Kote. Lidhet me të tjerë armiq të Pushtetit Popullor, siç janë të pandehurit e tjerë, dhe në mbledhje të fshehta, me iniciativën e tij, hartojnë planin e arratisjes duke u ndarë në dy grupe, duke u interesuar që të armatosen për të përballuar ndjekjet e Policisë e të Sigurimit, në rast se i diktonin…”
NGJARJA NGA NISI FILMI “DUEL I HESHTUR”
Filmi “Duel i heshtur” (1967), me skenar të Nasho Jorgaqit, regji të Dhimitër Anagnostit, nën interpretimin e aktorëve Rikard Ljarja, Ndrek Luca, Reshat Arbana, Bujar Kapexhiu etj., u mbështet mbi një ngjarje të ndodhur në vitin 1947. Pak ditë më parë, Kastriot Dervishi publikoi dokumente që lidheshin me ngjarjen. Në raportin e datës 5 qershor 1947 te Drejtoria e Punëve të Brendshme Durrës, ndër të tjera thuhet: “Kur ishin larguar 30 milje në afërsi të Mezokanalit i njoftojnë marinarit roje qëllimin e tradhtisë dhe ikjen për në Itali.
Atëherë marinari në fjalë, duke parë tradhtinë dhe mashtrimin që ata i kishin bërë, mendohet dhe merr masat për t’i vrarë me një automatik që ndodhej i varur në dhomën e fjetjes së motovedetës. Duke përfituar nga rasti se dy tradhtarët ndodheshin në timon, vret të tretin në dhomë dhe pastaj vret edhe dy të tjerët një nga një. Pasi kryen këtë vepër, merr vetë drejtimin e motovedetës (megjithëse nuk kish përdorur ndonjëherë, pasi ishte marinar i ri) dhe kthehet për në Durrës në orën 20:00, duke vënë në dijeni për ngjarjen kapitanerinë dhe si kish mundur të evitonte tradhtinë”.