Opozita ka lëshuar luanët që të luftojë me sende koteci”, u shpreh ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka në fund të fjalës së saj nga foltorja e parlamentit pasditen e sotme.
Kujtojmë se gjatë paradites, në Kuvend, kryeministri Edi Rama u qëllua me vezë nga deputeti demokrat Endri Hasa.
Teksa u ndal te Ligjii për Arsimin e Lartë, ministrja u shpreh se ky nuk është një ligj perfekt, por nuk mund të mohohet se ishte një përpjekje serioze për ta kthyer universitetin nga një prodhuese diplomash në një prodhuese e dijes.
“Ligji i Arsimit të Lartë nuk është perfekt. Nuk është zbatuar plotësisht, por askush s’mund të mohojë se ishte përpjekja më serioze për të vlerësuar rrugën e dijes e për tu ndarë nga diplomat që nuk i jepnin dritë mendjes, e nuk punësonin meritën.
Reforma në Arsim dhe ligji që prodhoi kjo reformë, ishte produkt i një komisioni, nga më prestigjiozët për Arsimin e Lartë.
U mblodh me qindra herë. Përgatiti opinione, provoi një raport të parë, dokument i gjelbër, që hapi një debat ku u angazhuan rreth 2000 pedagogë.
Më pas u krijua “White Papper”, një draft i parë i ligjit që u diskutua në çdo fakultet publik e privat, ku u mor parasysh çdo argument, u debatua.
Universiteti i Tiranës dërgoi 6 mijë faqe komente pas draftit të parë dhe pas draftit të dytë vetëm 6 faqe, duke treguar se çfarë u përmirësua nga ligji dhe sesi u dëgjuan të gjitha komentet e bëra”, tha Xhaçka.
Ministrja e Mbrojtjes në fjalën e saj tha se studentët janë frymëzim për shqiptarët dhe vetë qeverinë, teksa thumboi dhe opozitën, duke akuzuar se 10 programe studimi në vitin 2005 u hapën 1442 programe studimi në vitin 2013.
“Njëlloj siç opozita e sotme, qeveria e atëhershme i grabiti të ardhmen studentëve kur ishte në pushtet, e kur diploma nuk kishte lidhje me tregun e punës.
Më klientesliste se qeveria juaj, akuzoi Xhaçka, duke iu drejtuar opozitës, se nga shtatë institucione të arsimit të lartë në 2005, i bëtë 44 në 2013. Nga 10 programe studimi në 2005 arritën deri te 1442 programe në vitin 2013. Po fajin për doktoraturat që nuk vlejnë kush e ka,” shtoi.
“Kush e mori vendimin që po të kishe master të shtohej rroga me 10 000 lekë dhe me doktoraturë 20 000 lekë. Ju i vutë doktoraturës çmim, ndërsa normalisht vetëm për pedagogët duhet shtuar rroga sipas gradave shkencore që kanë”, tha Xhaçka.
“Studentët janë frymëzim për çdo shqiptar dhe për ne si qeveri. Arsimi i Lartë është një e mirë publike, një udhë drejt dijes, ndërsa për ju ishte vetëm një rrugë për të prodhuar diploma, teksa për ne duhet të prodhojë dije, që të çojnë drejt tregut të punës.
Ne jemi të gatshëm të flasim, të dialogojmë e të zgjidhim bashkërisht, ndërsa opozita ka lëshuar luanët që të luftojë me sende koteci”, nënvizoi Xhaçka në fjalën e saj.