Prokurori Kombëtar i Antimafias dhe Antiterrorizmit, Federico Cafiero de Raho, ka reaguar pas operacionit për sekuestrimin e 613 kg kokaine që vinte nga Kolumbia.
Ai nënvizon se ky operacion është zhvilluar vetëm nga policia shqiptare, pa ndihmën italiane.
Deklarata e plotë:
Prokurori Kombëtar i Antimafias dhe Antiterrorizmit, uron përzemërsisht Prokurorinë dhe Policinë shqiptare për operacionin që çoi në sekuestrimin në Portin e Durrësit të një sasie të madhe lënde narkotike.
Ky operacion merr edhe më shumë rëndësi falë faktit se u realizua nga Policia shqiptare, pa asnjë ndihmë nga ana e autoriteteve gjyqësore italiane.
Suksesi i arritur sot në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike me sekuestrimin e 613 kilogramëve kokainë është një ndër rezultatet e para të strategjisë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilën Qeveria shqiptare po e zbaton fuqimisht, siç munda të mësoj dhe gjatë vizitës sime të fundit në Shqipëri, të realizuar me ftesë të ministrit të Brendshëm.
Siç dhe konstatova duke vizituar selinë e Task Forcës – e ngritur me vullnetin e ministrit të Brendshëm – dhe siç pata mundësi t’ua deklarojë qartësisht dhe organeve të medias, nga takimet me ministrin e Brendshëm, ministrin e Drejtësisë, prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë dhe drejtuesin e Prokurorisë për Krimet e Rënda, u shfaq vullneti dhe angazhimi i Qeverisë dhe Prokurorisë për të vënë në jetë të gjitha masat e nevojshme për të penguar infiltrimin e krimit të organizuar në Institucionet shqiptare.
Prokuroria Kombëtare e Antimafias dhe Antiterrorizmit do të ofrojë, sikundër dhe në të kaluarën, çdo lloj mbështetje për institucionet gjyqësore dhe për Policinë shqiptare, për të luftuar sa më mirë krimin e organizuar transnacional.
Prokurori Kombëtar i Antimafias dhe Antiterrorizmit, Federico Cafiero de Raho