Nga protesta e banorëve të Astirit në Tiranë, lideri i demokratëve Lulzim Basha i ka bërë thirrje qytetarëve që nesër t’i bashkohen protestës së studentëve përpara Kuvendit, si e vetmja mënyrë për të rrëzuar nga pushteti Kryeministrin Edi Rama.
Basha ka folur për nisjen e një rezistence kundër pushtetit të të majtëve, rezistencë e cila duhet të nisë që nga nesër në ambientet përballë Kuvendit.
“E patë si ishte katandisur sot Edi Rama në Vlorë. E ka kuptuar se askush nuk ia blen më gënjeshtrat. Nuk e beson më askush. Kanë vendosur të mos negociojnë sepse e kanë kuptuar se ky o do përpiqet t’i blejë negociatorët ose do i mashtrojë. 60 mln euro është afera Veliaj-Bego. 200 familje të nxirren në rrugë që të pastroheshin 60 mln euro të drogës e krimit. Shteti ka rënë, gjykata kushtetuese ka rënë, prokuroria ka rënë.
E vetmja rrugë është ajo e përballjes. Iu bëj thirrje qytetarëve të bashkohen nesër me studentët masivisht para Kuvendit, të nisim nga nesër rezistencën”, deklaroi Basha.