Nga Armando Meta
Opozita ka marrë vendimin për t’u rikthyer në Parlament, në limitet e skadimit të mandateve të deputetëve. Vendimi në vetëvete është një hap pozitiv, pasi i jep fund një situate e cila më shumë se pasoja ndaj Kuvendit, mbarti këto 6 muaj pasoja për vetë opozitën. Në harkun kohor të 6 muajve, aq sa u shtri edhe bojkoti, është momenti për të parë dhe cili është bilanci i kësaj lëvizje politike dhe sa përfitoi opozita me këtë lëvizje.
Që në krye të herës duhet theksuar se strategjia e bojkotit aplikuar nga forcat politike pothuajse nuk ka prodhuar rezultat pozitiv për vetë forcat politike që e kanë aplikuar, si PS, PD dhe së fundmi LSI. Aq më shumë kur motivet e kësaj skeme mbështeten mbi pretekste personale dhe jo mbi çështje që vërtetë e bëjnë të pamundur funksionimin parlamentar të opozitës për shkak të diktatit të mazhorancës.
Ajo që bie në sy edhe nga statistikat parlamentare, opozita e ka pasur kohën me pashë në Kuvend, jo vetëm për të folur, por edhe për të përdorur shpesh dhe akte dhune si në adresë të ekzekutivit, deputetëve të tjerë të parlamentit, por edhe gjatë votimeve për funksione të larta drejtuese të shtetit, siç ishte situata e pashembullt parlamentare në rastin e zgjedhjes së Kryeprokurores, Arta Marku. Në këtë kuptim opozitës nuk i është cënuar asnjë e drejtë parlamentare, madje e ka pasur me tepri në dëm të grupeve të tjera parlamentare në Kuvend.
Natyrisht që Parlamenti, në fund të fundit, vendos me vota, pasi edhe zgjedhjet për këtë qëllim bëhen që votuesit të kenë mundësi të zgjedhin mazhoranca vendimarrëse. Nëse opozita kishte gjithë kohën për të bërë ato që ka bërë në Kuvend dhe nuk i ka votat kjo nuk është një arsye për bojkot.
Ndonëse nuk mori një vendim zyrtar për të bojkotuar parlamentin, por u shpreh me një dakordësi mes kryetarësh të partive të opozitës për këtë skemë, dukej qartë se vendimi verbal u mor ‘shkel e shko’, pa analizë mbi efektet e kësaj vendimarrje.
Opozita tentoi të paralelizonte parlamentin, duke mbledhur grupet parlamentare të PD- LSI në disa prej qyteteve kryesore të vendit në ditën që Kuvendi kishte seancë, në atë që opozita e komentonte si ‘takime me popullin’. Një strategji kjo tërësisht e dështuar pasi edhe skema ishte e keqndërtuar edhe figurativisht, ku fliste Basha dhe Kryemadhi për bëmat e qeverisjes dhe ku vetëm popull s’kishte. Ato që i thonin në këto takime kishin mijëra herë që i thonin në Kuvend sa herë hapnin gojën. Duke qenë skemë e dështuar opozita vendosi t’i japë fund këtyre takimeve.
Por, parë në një këndvështrim të detajuar kupton se skema e bojkotit s’kishte të bënte fare me Parlamentin, por ishte në vazhdën e skemës për të sabotuar kompletimin e Reformës në Drejtësi, duke mos votuar Ligjin për Magjistratët që kërkon shumicë të cilësuar. Ky ligj vijon të jetë ende në tryezat e deputetëve dhe pret votën e opozitës.
Ndërkohë, vijimi i bojkotit pas zgjedhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe atij të Prokurorisë, e bën tërësisht të pavlefshëm bojkotin e opozitës, pasi me krijimin e SPAK deputetët ndjejnë se kanë më shumë nevojë për mandate se sa t’i humbin ato për shkak të Rregullores së Kuvendit. Në këtë panoramë vlen të theksohet se thelbi i bojkotit nuk lidhet me kohën që u jepte Gramoz Ruçi në Kuvend (të cilën e kishin me tepri), por me mungesën e kohës që tashmë ata kanë me futjen në rrugën e duhur të procesit të kompletimit të Reformës në Drejtësi.
Bojkoti në thelb ishte në vijim të qëndrimeve të pathyeshme që ka pasur opozita kundër Reformës në Drejtësi. Kthimi i saj në Kuvend është dëshmi se opozita nuk e ndalon dot më Reformën në Drejtësi, as me bojkot, as me pagesa autobuzash për të sjellë militantë për të protestuar në Tiranë para Kryeministrisë, e as me studentë forumesh që me vendim partie dialogun e konsideërojnë si ‘antikrishti’. Deputetët sot më shumë se kurrë kanë nevojë për mandate. Ky është thelbi i vendimit për t’u kthyer në Parlament./Javanews/