Kushdo mund t’i thërrasë kujtesës sot dhe të kujtojë sa e sa precedentë që i përkasin politikës shqiptare ndër vite, teksa sheh sesi një protestë studentore e cila formalisht nuk ka asnjë lidhje me kastën politike tradicionale, po sillet si ajo.
Skënder Minxhozi
“Hap kutitë ose largohu”, “Veting politikanëve, ose nuk vijmë në Kuvend”, “Ndrysho ligjin elektoral, ose nuk hyjmë në zgjedhje”! Sa herë e kemi parë politikën shqiptare të kacafytet, duke kërcënuar se do të hedhë në erë urat e komunikimit, se do të bojkotojë parlamentin ose zgjedhjet?!
Sa herë kemi parë partitë politike të vendosin kushte, shpesh herë me qëllimin e vetëm të mosgjetjes së një kompromisi të caktuar, apo të hedhjes në erë të një dialogu konkret të inicuar në një moment kritik?! Moskomunikimi, kjo armë e vjetër dhe e re e politikës shqiptare, ka qenë një ndër kartat më të keqpërdorura të të gjitha partive, në kacafytjet për përmbushjen e interesave të tyre të ngushta politike.
Kushdo mund t’i thërrasë kujtesës sot dhe të kujtojë sa e sa precedentë që i përkasin politikës shqiptare ndër vite, teksa sheh sesi një protestë studentore e cila formalisht nuk ka asnjë lidhje me kastën politike tradicionale, po sillet si ajo.
Në ditën e saj të 13-të protesta studentore, e përshëndetur kombëtarisht si një fenomen i shëndetshëm dhe tejet pozitiv për shoqërinë shqiptare, duket se ka hyrë në një qorrsokak të rrezikshëm që po mpak e tkurr gradualisht, jo vetëm pjesëmarrjen e studentëve në të, por po hedh pikëpyetje e dilema serioze mbi mënyrën sesi po kërkon të realizojë listën tashmë të famshme të tetë pikave.
Teksa po mblidhen poshtë zyrës së kryeministrit në një protestë e cila është njoftuar se do të ketë pjesëmarrje kombëtare dhe që do të jetë paradhoma e një greve eventuale urie gjatë orëve në vijim, protesta studentore vazhdon të ngulmojë se nuk i duhet asnjë kanal komunikimi me qeverinë.
Merr listën që kemi afishuar dhe plotësoje, nuk flasim me ty! – kjo ka qenë motoja e përsëritur e studentëve, të cilët vijojnë të qëndrojnë stoikisht larg uljes në tryezë me qeverinë. Me atë qeveri e cila do të ripunojë parimet e një reforme arsimore që realisht fut ujë, që do të modifikojë një numër ligjesh e rregulloresh, që do t’i drejtohet më pas Parlamentit për të marrë votën e deputetëve dhe që do të hapë më në fund qesen për të shëruar plagët ekonomike e strukturore të arsimit shqiptar.
Një zot e di sesi e gjitha kjo mund të bëhet pa u ulur në një tryezë bisedimesh. Një zot e merr vesh sesi mund alokohen miliona lekë, sesi mund të përmbysen ligje dhe ribëhen rregullore, pa diskutuar me ata që e kërkojnë këtë gjë! Ajo që ka fituar në harkun e 13 ditëve ka qenë një logjikë e pastër politike, më saktë partiake. Madje më saktë fare, një logjikë partike shqiptare e moskimunikimit, në vend të arsyes normale njerëzore, e cila thotë se duhet të flasësh me personin, me entitetin apo institucionin, me të cilin ke një problem për të zgjidhur.
Studentët po rrezikojnë të bëjnë “pis” një protestë të bukur dhe mëse legjimite, duke përdorur në fund të mekanizmit të tyre reagues, artificin e moskomunikimit. I cili në thelb është një pretekst i vjetër hipokrit partish politike të tranzicionit shqiptar.
Moskomunikimi ka krijuar tashmë një masë gri studentësh e përkrahësish të protestës të të gjitha moshave, të cilët me të drejtë kanë nisur të pyesin veten se cila është arsyeja e insistimit përtej çdo limit të logjikshëm, të mosdialogimit me qeverinë për listën e kërkesave tashmë publike.
Ndoshta është për këtë arsye që masiviteti i të martës së shkuar tek rruga e Durrësit nuk po arrihet të përsëritet më, megjithë autobusët e ardhur nga rrethet, sipas një medotike që na kujton më shumë mitingjet e partive, sesa protestën e një brezi që ka ndot nga partitë.
Parimi partiak i mosdialogimit, po saboton një protestë e cila do të bënte mëkatin më të madh, nëse do të shuhej pa arritur atë për të cilën startoi dy javë më parë. Lulzim Basha e Monika Kryemadhi nuk kanë fare nevojë të jenë në protestën e studentëve. Sepse është vetë protesta qe po sillet si ata…