Shpesh një person “justifikohet” kur kryen një vepër penale me gjendjen e vështirë ekonomike, sociale, problemet mendore e shumëçka tjetër, por kur rikujtojmë rreth disa rasteve që kanë bërë bujë ndër vite në vendin tonë, nuk na dalin llogaritë.
Ka shumë vajza të reja, të bukura, të shkolluara, ose në karrierë që kanë devijuar në një moment dhe kanë përfunduar mbrapa hekurave.
Olesia dhe 2 milion euro mashtrim
Prej ditësh, 38-vjeçarja Olesia Duka është kthyer në kryefjalën e lajmeve në media. Ajo akuzohet për mashtrim në shuma të mëdha parash. Sipas policisë, Olesia me profesion stomatologe, i kishte marrë shumën e majme të parave shtetasit me iniciale I.H që kishte bërë dhe denoncimin. Pas këtij rasti të tjerë biznesmenë kanë vërshuar me denoncimet e tyre ndaj Dukës.
Dhuna e Anjezës ndaj një fëmije
Të njëjtën jehonë kanë patur edhe raste të tjera ku protagoniste kanë qenë femrat. Njerëzit mbetën të shokuar nga dhuna që Anjeza Shabani ushtroi ndaj një fëmije 3- vjeçar në kopshtin që administronte në Sauk në Tiranë.
Ngjarja që ndodhi në 2016- ën revoltoi të gjithë opinionin publik, madje në fare pak kohë pati shumë denoncime të ngjashme.
Anjeza u dënua me 2 vite burg. Ajo kishte punuar si gazetare në disa media dhe nuk ishte një personazh tërësisht i panjohur për publikun.
Eh, vizat..
Gjatë këtyre viteve, sidomos para liberalizimit të vizave, ka patur shumë personazhe që mashtronin duke premtuar viza pune jashtë vendit. Një nga rastet më të përfolura ka qenë ajo e Lule dhe Adela Makashit.
Nënë e bijë, janë dënuar respektivisht me 10 dhe 8 vite burg pasi mashtruan 360 shqiptarë, të cilët paguanin rreth 20 mijë dollarë për një vize punë në Kanada, duke mos marrë asgjë në këmbim.
Uarda dhe lumturia e saj kur doli nga burgu
Uarda Çota u bë shkas i një aksidenti automobilistik në Komunën e Parisit në Tiranë tre vite më parë, ku i mori jetën 11-vjeçarit Rubin Peka, djalit të ish-zv/ministrit Avenir Peka. Uarda ishte me shpejtësi dhe kishte 0.88 % alkool në gjak.
U dënua me 5 vite burg, por pas dy vitesh përfitoi nga amnistia dhe ishte një nga 10 gratë që u liruan që vuanin dënimin në burgjet e Tiranës.
Ditën e lirimit ajo foli përpara kamerave dhe e buzëqeshur pohoi: “Falënderime të përzemërta zotit Ministër. Ishte ai iniciatori. I uroj lirim sa më të shpejtë të gjithë atyre personave që janë gjendur në të njëjtën situatë si unë në të gjithë këto kohë”.
Dashuri, urrejtje dhe … benzinë
Mesnatën e 1 prillit 2016, Desara Mançellari, asokohe 23-vjeç, i vuri flakën katër makinave të babait të ish-të dashurit për të trembur këtë të fundit. Në dëshminë e saj Desara tregonte se ai i ushtronte presion për t’u lidhur sërish dhe ajo çfarë bëri?
Bleu benzinë në një pikë karburanti, mori një shkrepëse dhe i vuri flakën katër automjeteve për ta trembur. Pas kësaj shkoi në shtëpi, hoqi këpucët, vuri një lavatriçe dhe vijoi normalisht jetën e saj.
Desara u dënua fillimisht me 3 vjet e gjashtë muaj heqje lirie, dënim që shkoi në 2 vjet e 4 muaj dhe u lehtësua përfundimisht me arrest shtëpie.
Me siguri që mund të ketë edhe shumë personazhe të tjera, por këto që renditëm më lartë kanë qenë raste që kanë bërë më shumë bujë.(dita)