Jozefina Topalli sipas statutit të Partisë Demokratike, është automatikisht anëtare e Këshillit Kombëtar i cili zhvilloi sot mbledhjen konstituuese. Por ajo nuk ka marrë pjesë. Report Tv e ka pyetur ish-nënkryetaren e PD mbi arsyet e kësaj mungese. Topalli ka deklaruar se nuk ishte lajmëruar për mbledhjen, duke shtuar se atë nuk e lidh asgjë me kryedemokratin Lulzim Basha, i cili sipas saj, ka shkatërruar PD-në.
“Nuk jam lajmëruar. Por edhe po të lajmërohesha, mua nuk më lidh asgjë me Lulzim Bashën, që e shkatërroi PD-në. Po të ishin mbledhur bashkë të gjithë armiqtë e PD-së të 3 dekadave nuk mund t’ i bënin kësaj force politike më keq seç i ka bërë Lulzim Basha për 4 vite”, është shprehur Topalli.
Megjithatë ajo e ka cilësuar Këshillin Kombëtar të PD të dalë nga votimi i Kuvendit Kombëtar tre ditë më parë si të paligjshëm, duke iu referuar procesverbalit të votimit ku rezultonin më shumë vota se delegatë.
“Pastaj Këshilli Kombëtar është i paligjshëm. Dëshmia me ironike e paligjshmërisë së saj është procesverbali i rezultatit, ku votat dalin më shumë se votuesit. Njerëzit e Ramës blejnë vota, kurse Luli nuk vjedh. Ai s’ka nevojë. Ka listën gati që më përpara. Ai nuk numeron votat”, ka deklaruar ish-deputetja.
Sa i takon mospërputhshmërisë së shifrave, PD ka sqaruar se në Kuvendin Kombëtar votuan 4919 demokratë, ndërsa 4741 ishte numri i anëtarëve që janë verifikuar me mandat para nisjes së punimeve dhe 178 të tjerët janë pajisur me mandat pas nisjes së punimeve.
Zgjedhjet në Kuvendin Kombëtar të PD për zgjedhjen e Këshillit Kombëtar shkaktuan hemorragji në radhët e demokratëve, pasi të paktën 10 rivalë të Lulzim Bashës dhanë dorëheqjen nga kandidimi si Erla Mhilli, Edvin Kulluri, Edit’h Harxhi, Mimoza Hajdarmataj, Fabian Topollaj, Valbona Mezini, Arben Skënderi, Gent Minarolli, Vasil Ndreko dhe Anila Godo