Drafti i Reformës Zgjedhore, paraqitur në mënyrë të njëanshme në Kuvend nga socialistët, ka dy risi thelbësore: përdorimin e elektronikës, kërkesë e hershme e PD-së, dhe votimin e shqiptarëve jashtë Atdheut, që është kërkuar gjithmonë nga socialistët.
Për sa i përket elektronikës, drafti thekson se i referohet identifikimit biometrik të votuesve, votimit me dhe nëpërmjet pajisjeve elektronike, si dhe numërimin nga pajisjet të votave të hedhura. Pas nxjerrjes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, KQZ-ja duhet të kryejë një testim të pajisjeve përmes numërimit manual të jo më pak se 10% të qendrave votimit.
Verifikimi paszgjedhor i sistemeve nuk prek rezultatin, por në rast defektesh apo pasaktësish, KQZ-ja mund të vendosë me 4 vota pro t’i zhvillojë manualisht zgjedhjet e radhës.
Ndërsa zgjedhësit jashtë Shqipërisë duhet të plotësojnë dy kushte: të kenë regjistruar në Gjendjen Civile adresën e vendbanimit të përhershëm jashtë vendit dhe të kërkojnë nga KQZ-ja që të pajisen me dokumentacionin e votimit nga jashtë. Është KQZ-ja që i kërkon Gjendjes Civile të përfshijë në listën e zgjedhësve nga jashtë vendit të dhënat e atyre që kanë kërkuar të votojnë.
Sipas këtij propozimi të socialistëve, në rast se votimi jashtë vendit kryhet manualisht, KQZ i dërgon zgjedhësit përmes Postës Shqiptare me shërbimin e shpejtë me garanci dorëzimi, dokumentacionin e votimit, përbërë nga zarfet dhe fletën e votimit, si dhe udhëzimet për procedurën e postimit të fletës së votimit të plotësuar.
Nëse votimi nga jashtë kryhet elektronikisht, KQZ i dërgon zgjedhësit përmes të njëjtit shërbim postar si më lart, dokumentacionin udhëzues për procedurën dhe, sipas rastit, kodet e sigurisë që parashikon procedura e votimit elektronik.
Numërimi i votave elektronike bëhet menjëherë pas përfundimit të afatit të votimit, ndërsa për ato të dërguara me postë, KQZ-ja organizon një vend numërimi të posaçëm.
Ky propozim i PS-së nuk ka marrë akordin e opozitës, pasi drafti nuk është konsensual. Si të tillë, mazhoranca e ka të pamundur ta miratojë, në kushtet kur nuk ka shumicën e cilësuar prej 84 votash që kërkon Kodi Zgjedhor. Ndërsa Partia Demokratike deklaroi se, me këto amendamente të njëanshme, PS po minon në mënyrë të përsëritur Reformën Zgjedhore./TCH