Pak orë pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve në Këshillin Kombëtar të PD, kryetari Lulzim Basha thirri në një mbledhje me dyer të mbyllura me Grupin Parlamentar.
Gazeta ‘Panorama’ ka zbardhur një pjesë nga debati në këtë takim. Deputetja Rudina Hajdari mësohet të ketë kërkuar sqarime se përse nuk u lejua, siç deklaron ajo, të flasë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, mbajtur të shtunën që kaloi.
“Z.Basha dua të marr edhe unë fjalën sepse kam disa gjëra për të thënë. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar kisha kërkuar fjalën për të thënë qëndrimet e mia dhe në mënyrë shumë të çuditshme më është hequr fjala.
Nuk e kuptova cila ka qenë arsyeja e heqjes së fjalës time, ndërkohë që shumë kolegë të tjerë folën në mbledhjen e Këshillit.
Unë pavarësisht kësaj do të vijoj të shpreh mendimin dhe qëndrimet e mia për të cilat jam rikthyer nga SHBA për të dhënë kontributin tim.
Dhe në fakt nuk është çështje zgjedhjeje, vetë formimi im dhe tradita familjare më imponojnë që t’i them hapur qëndrimet dhe bindjet e mia, pavarësisht se mund të prek edhe ndokënd me ato që them”, mësohet të ketë thënë Hajdari.