“Nuk është dhënë asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit për Universitetet private”.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, në një takim me pedagogë e studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës.
“Jo vetëm që nuk është dhënë asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit për universitet private, por as edhe ligji i ‘Arsimit të lartë’, nuk e ka këtë gjë. Ligji nuk hap rrugë për financimin publik të universiteteve private.
Kjo është një gënjeshtër me bisht që ka marrë dhenë dhe përdoret si një nga akuzat kundër ligjit”, tha Rama.
Ndërkohë, ai theksoi se “ligji u jep mundësinë të gjithë aktorëve për të pasur akses në fondet e kërkimit shkencor, dhe kjo është gjëja më normale në botë”.
“Por edhe në këtë rast nuk ka ndodhur, asnjë qindarkë, zero”, tha Kryeministri, duke theksuar se kushdo që beson të kundërtën është viktimë e propagandës kundër ligjit.
Rama theksoi se “ne i kemi hequr të drejtën universiteteve private të të qenit ndërmarrje fitimprurëse”.