Nga Viktor Malaj
Ndërsa, në perëndim të karrierave të veta politike apo pas largimit nga politika ata bëjnë çmos që historinë, të shkuarën në të cilën ata kanë vepruar dhe kanë qenë protagonistë, ta shtrembërojnë, ta falsifikojnë dhe interpretojnë në atë mënyrë që të mbeten në histori jo siç ishin, por siç do të duhej të kishin qenë. Pra, ata bëjnë çmos që edhe t’iu shërbejnë ambicieve të veta për sundim për së gjalli, por edhe t’iu lënë brezave të ardhshëm një imazh të vetvetes që shpesh nuk përputhet me të vërtetën e jetuar.
Sali Berisha është individi politik i cili jo vetëm nuk ka lënë gjë pa bërë për të hipur në pushtet dhe për të qëndruar në shalën e pushtetit sa më gjatë, por është gjithashtu individi që as nuk ndien kurrfarë brejtje ndërgjegjeje për fajet dhe krimet e kryer.
Përkundrazi, ka guximin dhe paturpësinë t’i gënjejë shqiptarët vazhdimisht dhe hapur për ngjarje, personazhe dhe veprime ku ata kanë qenë aktorë apo shikues, dëshmitarë të gjallë, të atyre që kanë ndodhur në tri dekadat e fundit në vendin tonë.
Në propagandën e pareshtur dhe shumë të dendur të këtyre 28 viteve vihet re se shumica e protagonistëve kryesorë të skenës politike shqiptare bëjnë edhe çfarë nuk është e mundur për ta paraqitur situatën e ndërrimit të sistemeve politike sikur nga njëra anë ndodhej një shtet kriminal, i rrezikshëm, i egër, vrastar, i dhunshëm që mezi priste rastin të kryente masakra apo t’i hante kundërshtarët të gjallë dhe, nga ana tjetër kishim disa “heronj” që ishin edhe engjëj, por edhe luftëtarë, edhe paqësorë, por edhe komandantë aksionesh madhështore përmbysëse, edhe ithtarë të paqes, rendit dhe sigurisë, por edhe organizatorë protestash të dhunshme që përfundonin me konflikte dhe me grabitje, djegie dhe shkatërrime të qyteteve apo humbje jetësh njerëzore.
Çudia nuk qëndron në pafytyrësinë për t’u paraqitur çfarë s’kanë qenë kurrë se kjo është e natyrshme për cipëplasurit, por në guximin për të mospërfillur kujtesën tonë dhe për të fyer ndërgjegjen tonë.
Duke iu referuar momenteve të para të lejimit të pluralizmit politik dhe ndërrimit të sistemeve politike në Shqipëri, Sali Berisha dhe gjithë borizanët dallkaukë të shpurës së tij, me dhjetëra herë janë rrekur të mashtrojnë shqiptarët se drejtuesit kryesorë të regjimit pseudokomunist jo vetëm që mezi prisnin të ushtronin dhunë ndaj protestuesve apo figurave antikomuniste, por edhe sajonin situata të tilla që t’iu mundësohej masakrimi i kundërshtarëve politikë.
Mirëpo e vërteta është e pazhbëshme. Të pazhbëshme e bëjnë faktet historike që qëndrojnë kundrejt sajimeve dhe mashtrimeve politike në atë raport që ndodhen shpata e së vërtetës me fytyrën e maskuar të gënjeshtrës të cilën kjo shpatë e zbulon gjatë përleshjeve historike.
Në një intervistë të dhënë para një jave, Berisha u përpoq të krijonte idenë se drejtuesi i regjimit para- dhe paspluralist, Ramiz Alia, kishte qenë “një diktator pa kult”, “Ramiz Alia ka qenë për të qëlluar mbi njerëzit”, “donte të bënte një kasaphanë në bllok…” etj. Për të mos iu hyrë historive të gjata dhe fakteve pa fund mjafton të përmendim dhe krahasojmë qëndrimet e “diktatorit” Alia dhe “demokratit” Sali Berisha në dy momente të rëndësishme të fundit të pushteteve të tyre.
Në dhjetor 1990, pas 3 ditë protesta studentore, Ramiz Alia dhe 98 nga 100 anëtarët e KQ të partisë në pushtet (PPSH), pa shkaktuar asnjë viktimë, vendosën të shkelin Kushtetutën e tyre dhe të ndryshojnë sistemin politik (e theksoj: sistemin politik dhe jo thjesht ndërrimin e pushteteve brenda të njëjtit sistem politik). Ndërsa Sali Berisha dhe kukullat e tij politike pa moral qytetar dhe shoqërisht e kombëtarisht të papërgjegjshme, në mars 1997 e çuan vendin në konflikte civile dhe vendosën gjendjen e jashtëzakonshme duke kundërshtuar dorëheqjen e një qeverie të ardhur në pushtet me vota të dhunuara dhe të vjedhura, fakt i njohur dhe i pohuar nga opinioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar.
Berisha rropatet kurrizdalë të argumentojë qenien e Alisë diktator me faktin se deshi të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme. E thekson këtë me shpresë se ne e kemi harruar dhe, nëse nuk e kemi harruar plotësisht, duhet ta harrojmë përjetë e mot, që ky “demokrati” jo thjesht deshi, por e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në mars 1991 dhe u rizgjodh President në kushtet e kësaj gjendjeje politike, ligjore dhe sociale.
Për rolin e “diktatorit” Alia në shpalljen e pluralizmit politik, në mitingun e Qytetit Studenti në 11 dhjetor 1990, Sali Berisha i atëhershëm pohoi se: “Në këtë mes, mirënjohja jonë e madhe shkon padyshim së pari tek Presidenti, shoku Ramiz Alia i cili, me një mençuri dhe guxim që udhëhoqi njësitë e ushtrisë sonë në beteja çlirimtare, udhëhoqi vendin tonë në betejat e reja të demokratizimit të Shqipërisë”.
Në intervistën e sipërpërmendur Berisha pohon se “aksionin” për rrëzimin e shtatores së Hoxhës në 20 shkurt 1991 e kishte ideuar dhe organizuar PD por, pohon ai, PD qëndroi në prapaskenë. E thjeshtuar me gjuhën proverbiale të popullit kjo do të thotë se PD dhe Sali Berisha “hidhnin gurin dhe fshihnin dorën” pasi, po sipas tij, mund ta nxirrnin PD-në jashtë ligjit si parti politike e dhunshme. Pra, ajo ishte e dhunshme, por “luante” në atë mënyrë që të dukej paqësore.
E vërteta e madhe historike është se kupola politike e kësaj partie ka qenë dhe mbetet e dhunshme, ka hedhur gurin dhe ka fshehur dorën në shumë konflikte dhe krime të ndodhur gjatë këtyre 28 viteve. Krijimi i PD-së u shpall në 12 dhjetor 1990 dhe dy ditët pasuese kanë qenë ditë dhune dhe krimi në qytetet kryesore të Shqipërisë, dhunë e kryer nga lumpeni i yshtur dhe organizuar nga figurat kryesore të angazhuara në “Lëvizjen Demokratike”. Grabitjet, djegiet dhe shkatërrimet e këtyre qyteteve fillimisht nuk u morën përsipër nga PD-ja por, pas ardhjes së saj në pushtet në vitin 1992, “heronjtë” e krimit filluan vetëmburrjet për rolet që kishin luajtur në ato akte kriminale dhe u shpërblyen me dekorata dhe poste shtetërore nga shefat e bandës që sapo u ngjit në pushtet.
Politika e rrugës dhe e dhunës ka qenë tipari kryesor dallues i kupolës politike të PD-së aq herë dhe aq gjatë sa ajo ndodhej në opozitë. Njëri nga eksponentët kryesor të asaj partie dhe ish-kryeredaktor i gazetës RD, Frrok Çupi, thoshte në vitin 1997 se “Sa për veprat e ndërtuara nga periudha komuniste, PD ka qenë iniciatore e parë që ato të digjeshin. Në vetë ekspeditat e PD-së, kur po mundoheshim të ngrinim demokracinë, lëshohej sinjali, ‘le të digjen, janë komuniste, do të ndërtojmë gjithçka të re’ “.
Në gjithë sjelljen e PD-së dhe të drejtuesit real 28 vjeçar të saj ka qenë karakteristikë dalluese ushtrimi i dhunës dhe pastaj fajësimi i kundërshtarëve me pretekstin se “na kanë provokue” . Edhe në intervistën e fundit, pasi ka pohuar se ishte ai dhe partia e tij që organizuan rrëzimin e shtatores së Hoxhës (padyshim një akt i dhunshëm dhe shumë provokues), me paturpësinë që karakterizon qeniet e paskrupullta, konkludon se “shmangëm konfliktin”.
Të njëjtën gjë pretendon edhe për tentativën e një turme të verbër qytetarësh me mendësi mesjetare për të sulmuar “bllokun” apo rrethuar dhe sulmuar Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, një objekt ushtarak dhe arsimor. Janë po kjo psikologji, është po ky moral dhe kjo dinakëri që u zbatuan edhe në sulmin dhe djegiet e pjesshme të MPB në maj 1991 apo rrethimet dhe djegiet e komisariateve të policisë së Tropojës dhe Shkodrës në shkurt-mars 1998, duke kulmuar me sulmin e armatosur ndaj Kryeministrisë dhe institucioneve të tjera shtetërore në 14 shtator 1998.
Duke iu referuar ngjarjeve të 1998 dhe sjelljeve të përhershme të Sali Berishës, gazeta gjermane Suddeutsche Zeitung e 26 shkurtit 1998 pohonte: “Si shef i shtetit ai ishte një katastrofë, si udhëheqës i opozitës ai është një ordiner i rrezikshëm”. Një vit më herët “The Independent” e Britanisë së Madhe e kishte cilësuar regjimin berishist si “regjimi i gangsterëve që ne financojmë”.
Në të gjithë propagandën e vet Sali Berisha përpiqet që, me trillime, mashtrime dhe keqinterpretime, të krijojë idenë e rreme se ai, ish- sekretari i byrosë së PPSH për Fakultetin e Mjekësisë, jo vetëm ka qenë shpëtimtari i Shqipërisë nga regjimi i mëparshëm, por ka qenë edhe shmangësi dhe shpëtimtari i popullit shqiptar nga një “luftë civile” të cilën, sipas tij, gjithnjë e ëndërronin, e përgatisnin dhe e nisnin kundërshtarët politikë, por ai “ua digjte letrat”. Interesante, apo jo?
Njeriu politik më i dhunshëm i këtyre tri dekadave kërkon të shitet si engjëlli i paqes; zjarrvënësi i Shqipërisë kërkon dekoratën e zjarrfikësit heroik; komandanti i sulmeve të dhunshëm dhe të armatosur ndaj institucioneve shtetërore na paraqitet si nismëtar i dialogut; nxitësi kryesor i konflikteve politike të pas 1990 rreket të na bind se ka qenë gjithmonë partizan i marrëveshjeve dhe mirëkuptimit; ideatori dhe organizatori i krijimit të formacioneve antikushtetuese civilo-ushtarake të 1997 dhe dërgimit të tyre nga veriu në jug kundër “rebelimit komunist” e etiketon veten si armik i luftës civile; organizatori dhe urdhëruesi i sulmeve me artileri, aviacion dhe Lëndë Helmuese Luftarake të popullsisë civile në jug të Shqipërisë “sa për t’i trembur” kërkon të mbetet në histori si njeri politik human, demokrat dhe atdhetar.
Mirëpo, arsyeja e shëndoshë nuk i lejon poseduesit e saj të besojnë se një gangster politik mund të jetë edhe shpëtimtar i popullit të cilit i përket; se një “ordiner i rrezikshëm” mund dhe duhet të marrë atributet e Perëndisë së Paqes dhe Lirisë; se ai, regjimi dhe sundimi i të cilit ishin një katastrofë, mund të konsiderohet edhe përmbysësi i të keqes edhe sjellësi i të mirës së një kombi.
Duke i ditur të gjitha këto, duke e ditur se atij i është provuar autorësia e vrasjeve politike ai përpiqet të bëjë vrasës të gjithë kundërshtarët politikë, të djeshëm e të sotëm; duke e ditur se atij i është provuar autorësia në akte antikombëtare në marrëdhënie me fqinjët e Shqipërisë ai bën çmos të etiketojë si “tradhtarë” dhe “antikombëtarë” kundërshtarët e vet politikë për veprime dhe marrëveshje që nuk kanë ndodhur ende; duke e ditur se i është provuar korrupsioni dhe vjedhjet në shuma marramendëse të investimeve të qeverisjes së tij ai i shpall të gjithë kundërshtarët politikë si “megahajdutë”; duke e ditur se i është provuar disa herë autorësia në manipulimet, falsifikimet dhe dhunimet e proceseve zgjedhore, ai nuk pushon së konsideruari të pavlefshme të gjitha zgjedhjet që nuk e kanë sjellë në pushtet prandaj, në fund të çdo reagimi apo statusi fejsbukist, nuk harron të bëjë thirrje të dëshpëruara: “Të ngrihemi! T’i përmbysim!”, domethënë të rrëzohen me dhunë ata që janë zgjedhur me vota dhe të rikthehet ai që votimi popullor e ka urdhëruar të shkojë në muzeun e historisë si relikte e një kohe që s’mbahet mend, si dëshmi e falsitetit, hipokrizisë dhe banalitetit politik e njerëzor. Dhe ky gjëmëzi, që rropatet për t’u vetëstolisur me fakte që s’kanë ndodhur, quhet Sali Berisha.
Po, a ishte dhe sa ishte Ramiz Alia diktator? Megjithëse nuk ka një përcaktim të saktë dhe të gjithpranuar për fjalën diktator, duhet thënë se Alia mund të quhet “diktator” liberal, demokrat dhe human. Ndërsa Sali Berisha, që nga glorifikues kthehet në munxosës i tij, ishte dhe mbetet një “demokrat” i dhunshëm, diktator dhe antihistorik. Ai që në kushtet e sistemit politik njëpartiak pranon ndërrimin e sistemit politik dhe dorëzimin e pushtetit pa dhunë është dhe mbetet njëqind herë më demokrat dhe atdhetar, sesa ai që në kushtet e sistemit politik shumëpartiak bën çmos dhe përdor të gjitha format e dhunës për ta bërë pluralizmin një falsitet dhe pushtetin e vet të përjetshëm. Atë që nuk pranoi të manipulojë votimet e 1991 që e nxorën humbës si deputet në zonën e vet elektorale do ta njohë historia njëqind herë më të ndershëm e demokrat sesa “kryetrukuesin e zgjedhjeve të 2009” (sipas korrespondencës diplomatike amerikane) dhe dhunuesin e proceseve të tjera zgjedhore.
Atë që dha dorëheqjen dhe e dërgoi vendin në zgjedhje të parakohshme për hir të paqes popullore, megjithëse pushteti i zgjedhjeve të marsit 1991 i ishte konfirmuar nga gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë, do ta njohë e ardhmja shumë herë më të përgjegjshëm dhe demokrat sesa atë që për hir të pushtetit të rikonfirmuar nën dhunën e 26 majit 1996 e të konsideruar të tillë nga bota perëndimore, e çoi vendin dhe popullin e vet në buzë të greminës, në gjendje të jashtëzakonshme dhe e vuri nën “protektoratin” e forcave shumëkombëshe.
Atë që nuk fyeu, nuk dhunoi dhe as dënoi ndonjë gazetar do ta njohin brezat e ardhshëm shumë herë më demokrat se atë që ka rrahur, burgosur, plagosur e gjymtuar gazetarë, që ka djegur redaksi gazetash dhe që vazhdon edhe sot e kësaj dite të sulmojë me akuza dhe fjalor poshtërues gazetarët që guxojnë të flasin për gjëmat e tij. Atë që fundi i pushtetit të tij politik dyzet vjeçar e gjeti edhe pa shtëpi e ardhmja do ta çmojë shumë herë më të ndershëm e fisnik se ata që pas dhjetë vitesh në pushtet u bënë milionerë.
Për vlerësimin e rolit dhe figurës së Alisë, e ardhmja do të dijë mirë të zgjedhë midis përçartjeve dhe rrenave pafundësisht të turpshme të Sali Berishës dhe pohimit të gazetës opozitare RD të datës 23 shkurt 1991 se “Ne do ta shpallim hero të shpirtrave tanë Presidentin që nuk urdhëroi fillimin e gjakderdhjes… Ne do të përulemi me respekt para atij që drejtoi këtë vend të vrarë, të shpartalluar, me thika në shpinë e mërira të tmerrshme në sytë, drejt civilizimit pa gjak”.