Nga Durim Madhi
Lulzim Basha u zgjua nga gjumi sot më herët se zakonisht për të postuar në Facebook që status denigrues për aksionin e forcave e përbashkët polici-prokurori ku u sekuestrua një sasi rekord prej 613 kg kokainë. Ish–ministri i Brendshëm Basha nuk tha asnjë fjalë përgëzuese apo inkurajuese për strukturat e anti-drogës shqiptare, megjithëse ishte rasti të tregonte veten si ish shtetar. Nga ana tjetër, nuk pritej që ai të lavdëronte prokurorinë e Krimeve të Rënda, për shkak se ndaj kësaj agjencie ai ruan ende urrejtjen për padinë që kjo i ngriti për zhdukjen e 200 milionë dollarëve të autostradës Durrës-Kukës. Por ky është problem i Bashës.
Nga statusi i tij duket sikur në Shqipëri nuk ekzistojnë struktura të zbatimit të ligjit dhe sikur këtë aksion spektakolar e paskan kryer ‘ufo-t’ nga jashtë! Kjo është axhamillëk të mendohet, por nëse merr nota zyrtare siç bën Basha, kjo do të thotë që ky njeri e bën qëllimisht!
Qëllimi është i qartë dhe i drejtpërdrejtë: – të denigrojë strukturat ligjzbatuese vendore, duke ua mohuar meritat dhe indirekt ta keqpërdorë këtë fakt si argument politik. Gjakimi i tij drejt pushtetit është i njohur dhe shquhet për një makiavelizëm që ia dëshmojnë edhe ish-bashkëpunëtorët më të afërt. Por politikani, përtej piruetave të çastit, duhet të dijë nganjëherë të ndalet e të shohë se ku po shkon me mësymjet e tij anti-shtet, duke përfytyruar se po përmbys qeverinë! Etiketimi i një grupi politik në mënyrë denigruese apo i personave të veçantë, është një stil politik i stërpërdorur dhe që është dëshmuar i paefektshëm nga historia e shkurtër politike e këtij vendi.
Nëse do t’i rrinim për pak çaste logjikës së kryetarit të PD Basha, pra të garancive politike, pra të dhëna nga politikanë, për këtë ngarkesë droge, atëherë i takon që një garanci të tillë ta paskëshin dhënë edhe të paktën 4 shtete të tjera! Sipas Bashës, garantë duhet të jenë edhe qeveritarët italianë, maltezë e kolumbianë, nga është ngarkuar dhe është transportuar kjo sasi droge.
Po në logjikën akuzatore te Bashës, i përfshirë duhet të jetë i gjithë sistemi politik në Itali, Hollandë e gjetkë ku kapen herë –herë sasi edhe më të mëdha kokaine.
Natyrisht ky lloj arsyetimi dhe mënyrë e të bërit politikë është krejt shterpë, por Basha edhe këtë radhë nuk na zhgënjeu me sterilitetin e të menduarit dhe të vepruarit në politikë. Basha nuk ngjan asfare si një politikan me këto deklarata bombastike qesharake, por thjesht si një fëmijë i xhindosur. Gjejeni një lodërzë për këtë kalama të rritur që të qetësohet e porositeni të rrijë larg Facebook-ut!