Nga Skënder Minxhozi
Në 20 dhjetor 2017 policia e Hamburgut kapi një sasi droge rekord, prej 3.8 tonelatash kokaine e pastër. Droga e kap në tre dërgesa të veçanta nga Amerika e Jugut, në portin e Hamburgut. Autoritetet gjermane deklaruan se vlera e drogës së kapur në tregun me pakicë ishte rreth 800 milion euro! Një shifër rekord për kontinentin europian, e cila tronditi mediat vendase dhe të huaja.
Rreth dy muaj më vonë, në 2 shkurt 2018, një sasi më e vogël droge, po e tipit kokainë, u kap në portin e Durrësit, me një vlerë totale prej 180 milion eurosh. Një lajm i bujshëm, zhurma e të cilit i kalon kufinjtë e Shqipërisë. Por njëherësh një lajm që zbulon edhe një herë sesa e polarizuar dhe e padrejtë di të jetë klasa politike shqiptare, kur i hyn debatit dhe sherrit, edhe për operacionet e suksesshme të kapjes së drogave, si ky aktuali.
Opozita nuk ka humbur kohë, për t’ju futur “zejes” së saj të zakonshme: akuzave ndaj qeverisë për përfshirje në trafiqet e drogës. Kreu i opozitës e ka ditur shumë mirë se 613 kile kokainë e pastër u ndalën në portin e Durrësit, nuk kaluan përtej doganave shqiptare. E di edhe se droga vlen plot 180 milion euro. Para të cilat nuk do të shkojnë as në xhepat e prodhuesve, as të shpërndarësve dhe as të tutorëve që qëndrojnë në krye të skemës mafioze.
Heqja nga tregu e kësaj sasie gjigande droge s’mund të jetë tjetër, veçse një lajm i mirë për të gjithë. Edhe për opozitën, pasi indirekt tregon se presioni i saj ka efekt mbi shtetin dhe institucionet e tij. Fakti që Lulzim Basha del me akuza edhe pas kësaj ngjarjeje, tregon se opozita refuzon t’i njohë edhe vetes, ndër të tjera, një rol çfarëdo në kapjen dhe sekuestrimin e sasive të drogës që nisen nga Shqipëria ose kalojnë tranzit përmes saj.
Policia nuk mund të nuk duhet të akuzohet, edhe kur e kap drogën. “Hip se të vrava, zbrit se të vrava”, nuk është një parim që vlen në këtë rast. Sot Shqipëria ka dalë në të gjitha mediat botërore, pasi ka kapur, e jo lejuar, një sasi shumë të madhe droge. E jo marihuanë e kanabis, por kokainë. Atë lloj droge që sot ve në lëvizje të gjitha shërbimet sekrete të mbarë botës. Duhet të na bëjë të ndjehemi mirë ajo që ndodhi sot në portin e Durrësit, ashtu siç duhej të na bënte të ulnim kokën, nëse droga do kapej në portin e Barit apo të Brindizit, duke kaluar nën vështrimin indiferent të shtetit shqiptar. Për fat sot kjo nuk ndodhi.