Sot isha dëshmitare e një skene që të prish shijen e studentëve që pamë aq ditë në protestë. Pasi ndaluan, jo 5 minuta tek kryqëzimi i Zogu të Zi, por pa asnjë limit dhe një zotëri kërkonte të çonte nënën në Spital dhe aty s’e merrte vesh i pari të dytin, syri më kapi këtë studente që më shokoi me çantën Prada në protestë. Pas 20 a 30 minutash në heshtje, hapa xhamin dhe i thashë: “Ka një limit, duhet të kalojmë” dhe zgjidhjen ua jep dialogu dhe jo bllokimi i qytetarëve dhe se politizimi nuk ju bën mirë.
Isha në trafik pranë rrugicës së parë djathtas sapo hyn në Rrugën e Durrësit nga Zogu i Zi. Nuk dëgjonin, dhe përgjigjia ishte: “E duam, e duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Vajza me Prada më nxori gishtin e mesit. S’di nëse e kishte idenë që vajzë në makinë ishte një gazetare, besoj që jo.
Kishin regjistruar vetëm një shprehje dhe për fat të keq e vetmja shenjë e Europës ishte çanta e saj Prada, qoftë edhe fake tregon shumë! Sepse fatkeqësisht, siç është vënë gjithnjë re nga plot gazetarë të huaj që vijnë e bëjnë reportazhe ne Shqipëri, Markat e Ish bllokut dhe studentët me Louis Vuitton, Chanel e Prada janë tipike dhe nuk na e kanë kursyer sarkazmën me këtë shenjë provinciali dhe sipërfaqësorësh. Edhe vetë në 25 rreshtat e kam shkruar si format shqetësimi, se Europën e kemi imituar shumë mirë në këto 29 vjet për ‘Dolce Vita’ dhe jo për rregullat e saj.
A e dimë ne dhe studentët se sa paguan një prind taksa në Europë për shkollimin e fëmijëve të vet? A i ka ndodhur dikujt në një qytet europian të shohë një student me një çantë Louis Vuitton apo Prada? Përveç plakave të pasura, modeleve, grave të pasanikëve apo biznesmene dhe ata me ngjyrë… Është e pamundur të gjesh një student europian me marka, qoftë edhe ‘fake’, nuk ka rëndësi.
Vajza e çantës Prada nuk përfaqëson të gjithë studentët shqiptarë, pa asnjë dyshim. As sjellja e saj që qeshte me një qetësi e gjakftohtësi. . Nuk ishte as me nerva. Dukej si e përfshirë nga ethet e famës dhe studiove televizive dhe po argëtohej shumë me pritjen që u shkaktonte të tjerëve. Ajo nuk përfaqësonte as disa të tjerë që ishin me të, dhe që mbase besonin vërtet ende në kauzën e tyre. Vajza që sillen ashtu, i fyejnë dhe turpërojnë studentët. Por jo vetëm kaq, ata po i turpëron fundi i protestës që e mori në dorë Luli dhe Monika dhe po shuajnë tashmë me nxitimin: I riu si veriu, frymën e shpresës që i dhanë shqiptarëve në javën e parë.
Studentët nuk janë me kauza e çiltër që frymëzoi e ktheu shpresën shqiptare. Shumë prej tyre që ndoshta ishin dhe aty dhe ndoshta e ndjekin nga shtëpia protestën nuk meritojnë zhgënjimin qytetar, (se imi nuk quhet dhe nuk i prish punë askujt). Ata të mirët që dolën me xhinse e xhup pa çantën Prada dhe pa gishtin e mesit meritojnë dashurinë pa asnjë tarifë.
Por më shumë se studentët dhe studentja e mallëngjyer nga fama e përkohshme e protestës, janë kolegë si Kel Demi që po flet në Club. fm dhe thotë se shumë mirë e bëjnë që i bllokojnë akset, të mos ndalen. Nuk është i vetëm, shumë kolegë gazetarë dhe figura publike disa nga dashuria e të tjerë krejt për finokëri i frynë studentët dhe i bënë të duken anarkist. Tani ata sikur nuk duan më as 8 pikat, por kanë hallin të jetojnë në adrenalinën e revolucionit. Sa keq, kush ua pa hajrin revolucioneve. Shihni çfarë bëri pranvera arabe, shihni ku përfunduan vendet me ekstremistë e populizëm. Demokracia është dialog. Sigurisht a ka faj kjo qeveri? Një kosh të madh me m..ka bërë përderisa gjendja është këtu, por vetëm me të mund të dialogohet se ndonjë lëvizje a parti të re nuk ka që të thuash ta provojmë. Këta të tjerët janë të gjithë arkitektë të banjove të konvikteve dhe të shtëpive të Mynyrit.*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. / tiranapost