Kanë kaluar gati pesë vjet që kur kampioni i botës në garat e makinave Formula 1, u aksidentuar me ski në Francë, por kjo periudhë e gjatë rikuperimi është shpërblyer, pasi Michael Schumacher ka dalë nga koma dhe po dërgohet në Dallas të SHBA-ve për një tjetër trajtim të posaçëm.
Mediat gjermane kanë publikuar orët e fundit disa detaje të rëndësishme mbi jetën e Michael Schumacher duke evidentuar se i janë hequr tashmë aparaturat që e mbanin gjallë për frymëmarrje.
Sipas “Sportsmail”, ylli gjerman i garave nuk është më i shtrirë në shtrat, por megjithatë ai ende nuk është në formë madje i bëhet i njëjti kujdes që i bëhet një të moshuari.
Një terapi intensive me kosto 60 mijë euro në javë, po vazhdon intensivisht në vilën në Zvicër ku gjendet me familjen.
Në ambientin ku ndodhet Schumacher janë duke ardhur gjithnjë e më shumë miq të cilët takohen me të.
Schumacher po lëviz gjymtyrët, duar e këmbë, por nuk dihet ende nëse arrin të komunikojë duke folur.
Midis miqve që e vizitojnë rregullisht, është edhe Zhan Tod. Ai është gjithnjë shumë i kujdesshëm që kurrë të mos zbulojë gjendjen e Michael.
Megjithatë konfirmoi, se ai kishte parë së bashku me Schumacher, garën e Çmimit të Madh të Brazilit muajin e kaluar, në shtëpinë e kampionit legjendar të Formula 1.
Megjithatë, problemet në tru duket të jenë të rënda, pasi po përgatitet dërgimi i tij në SHBA dhe pikërisht në një klinikë të specializuar në Dallas.
Revista gjermane ‘Bravo’ raportoi se mjekët janë duke u përgatitur në fshehtësinë më të madhe për transferimin e Schumacher në këtë klinikë në Dallas, Texas, të specializuar në trajtimin e lëndimeve të trurit.
Pesë vjet më parë, më 29 dhjetor 2013, Schumacher pësoi aksidentin në Alpet Franceze, ndërsa ishte duke bërë ski.
Bashkëshortja e tij, Corinna ka kërkuar të ruajë privatësinë mbi gjithçka po ndodh në shtëpinë e saj si dhe për gjendjen e Majkëll.
Më 3 janar, Schumacher mbush 50 vjeç. /noa.al/