Presidenti Ilir Meta vazhdon turin e tij të udhëtimeve, këtë herë ndaloi në qytetin e Çorovodës, ku u mikprit nga autoritetet vendore, veteranë dhe qytetarë. Meta, vlerësoi Mustafa Kajo Bakiasin, Kapinovën (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, si edhe dekoroi me Titullin “Naim Frashëri” Baba Meleq Staravecka (pas vdekjes).
Presidenti Meta në fjalën e mbajtur vuri në dukje se: “Skraparllinjtë kanë luftuar gjithmonë për liri, identitet dhe përparim shoqëror. Ideali i tyre kombëtar ka qenë përherë forcë udhëheqëse në betejat e pafundme për liri dhe pavarësi.
Skrapari ka qenë dhe është toka e burrave trima dhe e grave trimëresha, barrikadë e pakalueshme për çdo armik dhe bazë e palodhur e luftërave çlirimtare. Skraparllinjtë e kanë ditur vlerën lirisë dhe i kanë vlerësuar përherë energjitë e pafundme që çliron liria dhe dinjiteti. Nuk ka etapë dhe epope të luftës për pavarësi të Shqipërisë që bijtë e Skraparit të mos kenë pasur heronjtë dhe dëshmorët e vet!”.
Presidenti i Republikës theksoi gjithashtu se: “Nga ky panteon emrash të ndritur me propozimin e Komitetit të Veteranëve të Skraparit dhe të Kryetarit të Bashkisë, kam kënaqësinë të vlerësoj dy patriotë skraparllinj të shquar të lëvizjes sonë kombëtare dhe Pavarësisë së vendit: Baba Meleq Staravecka dhe Mustafa Kajo Bakiasi (Kapinova).
Baba Meleq Staravecka, në traditën më të shkëlqyer atdhetare të bektashianëve tanë nuk e ndau kurrë fenë nga atdheu. Ai kontribuoi në mënyrë të jashtëzakonshme për edukimin e brezave më të rinj me dashurinë për atdheun, gjuhën shqipe dhe për Zotin. Mustafa Kapinova gjithmonë tregoi se kishte lindur për të luftuar vetëm për lirinë dhe progresin e popullit të tij. Mustafa Kapinova ka një kontribut të shquar në forcimin e shtetit të parë shqiptar, por dhe demokratizimin e shoqërisë shqiptare.” u shpreh Meta.