Në ekstazën e këtyre ditëve të protestës së studentëve, veçanërisht partitë opozitare, liderët e tyre, shumica e analistëve e opinionistëve të njohur në këto tri dekada që kanë të gjitha mundësitë të thonë mendimin e tyre pa asnjë kufizim përmes ekraneve dhe faqeve të shtypit të shkruar, çfarë nuk dëgjojmë. Në mesin e zërave studentorë nga më të arsyeshmit deri tek më hiperbolikët.
Nuk qëndrojnë mënjanë intelektualë e disa profesorë, që u erdhi më në fund rasti në derë për të zbrazur barkun për “gjëmat” që i janë bërë arsimit, jo nga ata se ata janë vetë ndershmëria po të tjerët, si dhe disa grupime që veprojnë në emër të partive dhe ca të tjerë që me të drejtë grumbullohen se i ka detyruar halli. Ka një kontigjent që kanë gjithë të drejtën me vete.
Të tillë mund të konsiderohen punëtorët e pashpërblyer të baypasit të Fierit, të cilët presin të paguhen për pagat e shumë viteve apo fermerët që u zaptohet toka bujqësore në këtë segment rrugor, të cilët nuk kanë marrë shpërblimin sipas marrëveshjeve me autoritetin rrugor e të tjerë që kanë të drejtë, po që sot e gjykojnë si mundësinë e artë të përfitojnë, ka një faktor determinant, përcaktues e me peshë që është më shumë se 90 përqind, populli shqiptarë që asnjëherë nuk pyetet për atë që ai mendon sot.
Askush nuk i ka në llogari, edhe pse janë vendimtarë në rokadën e pushteteve, se janë shumica që hesht, po që flet shumë më shumë se ata që kanë rrëmbyer megafonët e duan, jo të jenë në krah të studentëve e atyre që janë në nevoja emergjente të vërteta, shtresat më vulnerable të shoqërisë tonë, po të interesave partiake. Në dallim thelbësor prej tyre, është ai populli i vërtetë, ai i heshturi që nuk u lexohet mendimi. Nuk i dëgjohet zëri. As i vendoset mikrofoni përpara për të thënë edhe ata mendimin e gjykimin e tyre. Për të folur për situatën që jetojmë. Se është pjesa dërrmuese e shoqërisë që mendojnë gabimisht disa, se e kanë ata të drejtën për të folur e për të marrë vendime në emër të tyre, nuk është e mundur të dëgjohen.
Që është pamundësi praktike t’i pyesësh një më një, ashtu siç kanë privilegjin dhe veprohet në ditën që thirren për të dhënë verdiktin e tyre me votë në kutitë e votimit. Dhe nëse i referohemi qershorit të 2017-ës nga i cili nuk jemi shumë larg, të gjithë e kemi lexuar këtë vullnet, i cili nuk ka ndryshuar aspak ose është përforcuar kur shikon si skifterët që duan të rrëmbejnë çdo sakrificë e ide, lëvizje e revoltë, vrapojnë në ruajnë të paprekur interesat e tyre së pari pasurore, po edhe për t’u mbrojtur nga drejtësia e re që po vjen, e cila nuk mund të komandohet më nga të plotfuqishmit, që nëse u ke shërbyer të japin leje prindërore, të bëjnë prokurorë e gjyqtarë apo nëse i ke miq të ftojnë në darkë për të degustuar verën e mirë dhe automatikisht sado i zhytur të jesh në llumin e korrupsionit del i larë.
Mjafton një darkë, një tavolinë. Një fjalë e të fuqishmëve. Po reforma e re në drejtësi besojmë se nuk do lejojë më që të jesh ministër qëndro pa frikë se nuk të gjen asnjë e keqe. Të jesh deputet nuk të lag shiu dhe nuk të nxë qelia. Të jesh drejtor nuk të hynë gjemb në këmbë. Pikërisht, pjesa që nuk e ka mundësinë të bërtasi e të dëgjohet, ata që i japin peshë gjithçkaje në këtë vend, që deri sot është llogaritur si numër votash, si anonim, një hiç, ushtari të nënshtruar nuk iu lexohet mendimi nga askush që merr guximin të flasi në emër të tij.
Deri tani, politikën e bëjnë ata që kanë ekranet e televizioneve. E bëjnë kryeredaktorë të disa gazetave që bërtasin se u cënohet liria dhe se gjoja media pranë kryeministrit i censuron, që edhe kur e ftojnë kryeministrin në debate flasin vetëm ata. Përdorin shantazhin dhe fjalorin më ordiner që mund të ketë një njeri i medias. Ata që nuk dihet në emër të kujt flasin, kur urdhërojnë kryeministrin të ikë. Atyre që i numërojnë ditët dhe e quajnë të tepërt në shoqëri. Atyre që e duan larg dhe jo përballë.
Po pikërisht ata që sot nuk i pyesin për mendimin dhe qëndrimin e tyre janë pjesa më e madhe absolute e këtij vendi. Janë fermerët që nga Vermoshi në Konispol, që luftojnë për të tregtuar produktet e tyre, mundin e një viti. Pensionistët e ish ushtarakët. Janë punëtorët që punojnë në miniera. Janë mijëra nëpunës që punojnë në administratë. Janë një kontigjent i pallogaritur, të ndershmit që për vetë mundësitë e tyre financiare bëjnë llogaritë e muajit dhe racionojnë çdo qindarkë. Shqipëria nuk është pronë e 140 deputetëve, që bëjnë garë mode e shfaqen llamburitës si në pasarela. Me kostumet ekstra, me këpucët mijëra dollarëshe, me ora që kushtojnë sa një shtëpi. Me profesorët që marrin 11 paga dhe që nuk dinë ku i kanë llogaritë, që harrojnë sa banka kanë në dispozicion apo llogari në bankat jashtë shtetit.
Populli që nuk llogaritet çfarë mendon, nuk dihet ende se si i gjykon edhe djemtë e vajzat e këtij vendi që këmbëngulin për mos të dialoguar me qeverinë, nuk e njohim mendimin e tyre për këtë ngurim. Këshillën që do u jepnin si prindër e qytetarë. Nuk i kemi dëgjuar se është në mbështetje të opozitës që e mendon veten se është sot shumicë dhe ka ardhur koha për të qeverisur?
Nuk e kemi dëgjuar popullin që hesht, nëse i ka hequr legjitimitetin qeverisë dhe është bashkuar me urrejtjen e atyre që u frynë borive të ndasisë: Që bërtasin me të madhe në një refren pa pushim: Qeveri ik! Rama ik! Poshtë ata! Largohuni ju! Ejani ju të tjerët! Që i etiketojnë qeveritarët me simbolikat më të shëmtuara, i pagëzojnë si legen, si qen, si zhvatës si përçarës, si njerëz që i kanë sjellë këtyre, që sot kanë shqyer gojën një mijë e një të zeza?
Që e barazojnë mazhorancën me marksistët me diktatorët? Nëse do ishte kështu, si është e mundur që populli i heshtur, shumica që ka një armë, votën që të vret pa zë e pa bujë, që të kthen në hiç nuk e bëri këtë vetëm pak muaj më parë? A nuk di vallë të lexojë mesazhet e koduara të atyre që si në tridhjetë vite që kemi lënë pas i bie të njejtës vegël muzikore, këndon të njejtën këngë e ia merr të njëjtës melodi? A mundet që populli, shumica, ajo që nuk është në faqet e shtypit agresiv as tek opinionistët zullumqarë që i fryjnë përçarjes, që dinë t’u shërbejnë vetëm padronëve, që flasin sikur t’u ketë marrë fantazia zjarr kundër atyre që kërkojnë zbutje, ulje, debat, diskutime, zgjidhje? A mundet pjesa e heshtur t’u japë të drejtë atyre që sot bëjnë zhurmuesin dhe duket se po u çahet zemra në emër të halleve të studentëve që kanë dalë në sheshe dhe kanë braktisur auditorët dhe kur u thuhet ejani të flasim, po thonë jo, jo, jo!?
A e kemi lexuar gjykimin e popullit të heshtur që nuk ka akses në facebook, në ekrane, në faqe shtypi, në portale, në emisionet televizive po që flet shumë e më shumë vetëm me qëndrimin që mban, duke përbuzur rrëmujën dhe dëshirën e disave për rënie e përmbysje për të shkuar përsëri e përsëri në pikën zero dhe ta nisim nga e para, me “Gurin e Sizifit” mbi shpinë në kërkim të shpresës? A llogaritet shumica që qëndron në shtëpi, në ara, në stane, në miniera, në fabrika, në porte, në sheshe, në male, në fusha, populli pra, ai që të bën hatanë edhe duke mos folur edhe pse në prapavijë, ai që të matë kokën dhe ta pret kostumin si rrobaqepës i klasit të parë dhe që ta vendos festën sipas kokës? Në emër të mbrojtjes së studentëve shumë faktorë janë vënë në garë.
Jashtë nuk mbeti as Presidenti i Republikës, Shkëlqesia e tij, Ilir Meta, i cili e gjeti edhe ai një mekanizëm dhe një fjalëkryq për ta postuar në postën presidenciale, duke dërguar një teleks si nga froni i Presidencës për t’u thënë studentëve: – Më llogarisni edhe mua. Më besoni mua se ja ligjin e buxhetit ua ktheva për ta riparë atyre që duan të mos u japin juve pesë përqindshin e buxhetit, pra dy herë më shumë se mbrojtja e shëndetësia?
Po ata mijëra familjarë që sot i kanë studentët në shtëpi sepse kanë mbaruar shkollimin dhe për ti arsimuar kanë tundur kuletën e varfër dhe kanë paguar një më një për shkollën, librat deri tekat e pedagogëve të veçantë çfarë mendojnë për këtë amnisti të gjerë që kërkohet me zë të lartë për pagesa gjysmë, për tarifa zero?
A nuk kanë edhe ata të drejtën e zotit që të kërkojnë nga qeveria t’u kthejë pjesën tepër, gjysmën sepse edhe ata shtresa të varfëra janë se po të ishin mes atyre që zhurmojnë do i kishin fëmijët studentë në Oksford, Kembrixh, apo më tej akoma në universitete elitare deri në Harvard? Si t’i lexojnë zhurmëmëdhenjtë, mendimet e popullit në shumicë në lidhje me përmbysjen e rrëzimin e atyre që e kanë deleguar atje me votë dhe vullnet e jo përmes vjedhjes dhe krimit se po të jetë për këtë të fundit ne që jetojmë në provinca e tërë të tjerët e dinë mirë se kush e ka zanat vjedhjen e zgjedhjeve. A nuk duhet pyetur populli që sot hesht, se ç’mendon për vrapin e ishëve për të zënë kreun e vendit dhe nëse është dakord me këtë nxitim, dhe a nuk duhet t’u thotë ndal o beg se ka hendek?! Populli që nuk bën zë, sot është i mënjanuari i madh. I pallogarituri.
I anashkaluari. Verdiktin e tyre e përbuzin. Nuk e marrin si fuqi ndryshimi. Dhe është barazuar fatkeqësisht me ata që bërtasin e ulërasin. Nga ata që i kanë të gjitha pasuritë e bizneset, postet e vendet në kuvend e kudo, që marrin paga pa punuar, që flasin si të jenë të deleguarit e planetit “Mars” ata që për tërë këto dekada u kanë marrë edhe qindarkën e fundit këtij populli, duke e bërë të ëndërrojë fatkeqësisht sistemin dhe e kanë bërë të thotë se: “Ishim më mirë kur ishim më keq”, apo të ëndërrojnë sigurinë e mundësinë e punësimit si dhe cilësinë e arsimimit që ka synuar, çfarë përgjigje do jepte kjo pjesë që është madhore, është mazhorancë reale e padiskutueshme e gjithë gojëtarëve?
Nuk është e drejta me atë që bërtet më shumë dhe i ka të gjitha mundësitë të bëjë tellallin dhe të flasi sikur është vet populli. Nuk ka të drejtën morale Lulzim Basha që edhe pas verdiktit të Venecias i turret Ramës duke thënë gënjeshtra, të cilat i përgënjeshtroi deri edhe “Zëri i Amerikës”. Nuk është me fjalorin e Kryemadhit e Luan Ramës, apo Vasilit të LSI-së, që fjalën e kanë degjeneruar deri tek banalitetet. Populli duket sikur hesht. Po realisht ai pret të flasi me gjuhën e tij, burrërisht. Për të gjitha. Së pari për studentët.
Hallet e tyre. Rrugëzgjidhjet. Po t’u kërkoj atyre edhe përgjegjshmëri për t’u bërë dikushi dhe jo ta shikojë universitetin si shesh qëndrimi. T’u kërkojë rregullim të kushteve, po edhe cilësi për t’u bërë profesionistë intelektualë të denjë. Se ai populli i heshtur është bashkëaksioneri më i madh, ai që paguan e do paguajë miliona, që studentët e sotëm të jenë studentë që dinë të protestojnë, po së pari që të mësojnë e të bëhen vlera të këtij kombi. T’u ndriçojë atyre arsyen e t’u tregojë të vërtetat e mëdha drejt të ardhmes. Se është ky popull, familja e tërë studentëve. Dhe këtë fjalë do ta thotë kur t’i vijë radha.
Dhe radha mund të vijë sot, nesër, pas një viti pas tre vitesh. Ç`rëndësi ka. Ai di të flasi vënçe. Po nuk i ngatërron e nuk i ndërron armët e veta. Në dorën e mendjen e tij, ka vetëm një armë: Votën. Dhe atë di ta thotë me forcë. Ta përdorë me mend!
Nga Bardhyl BEJKO