Policia Rrugore e Tiranës njofton se ka reduktuar efektivët e vendosur me shërbim fiks, për menaxhimin dhe rregullimin e trafikut, nëpër kryqëzime që janë të pajisur me semafor.
Me reduktimin e prezencës fizike të dukshme, bëhet e ditur janë shtuar patrullat e policisë rrugore, me mjete të uniformuara dhe jo vetëm, të cilat gjatë kontrollit të territorit, evidentojnë, dokumentojnë dhe më pas procedojnë sipas shkeljeve të verifikuara, mjetet e konstatuara në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
“Nga kontrollet policore në formën e patrullimit dhe monitorimit me mjete të pauniformuara në zonat e kryqëzimeve, dhe në rrugët urbane të Kryeqytetit janë evidentuar dhe konstatuar 125 mjete të ndryshme në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor për të cilat janë përpiluar procesverbalet e konstatimit të shkeljeve dhe do behet njoftimi zyrtar i tyre, sipas normave të parashikuara në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Shkeljet e konstatuara janë kryesisht për parkime të gabuara, mos pozicionim siç duhet në koristë dhe zonën e kryqëzimit, mosdhënie përparësisë ndaj këmbësorëve, mosrespektim të sinjalizimit rrugor horizontal dhe të ndritshëm, si dhe shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.