Mazhoranca pritet ta rrëzojë dekretin me të cilin Presidenti Meta ktheu për rishqyrtim në Kuvend buxhetin e vitit 2019.Dekreti presidencial pritet të rrëzohet në seancën e fundit para mbylljes së këtij sesioni parlamentar, parashikuar në kalendar për të premten më 21 dhjetor.
Ilir Meta u bë presidenti i parë që ktheu një ligj për buxhetin, duke iu referuar kërkesave të studentëve që duan rritjen e buxhetit të arsimit në 5%. Presidenti tha se me këtë lëvizje synonte garantimin e stabilitetit në vend dhe shprehte besimin e plotë se Kuvendi do të reflektonte me qëllim plotësimin e kërkesave të studentëve.
Pavarësisht rrëzimit të dekretit presidencial, qeveria mund të bëjë më tej gjatë vitit të ardhshëm ndryshime në buxhet, pas dialogut që Kryeministri thotë se dëshiron të zhvillojë me studentët.