Sot në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike ka patur reagime të shumta, pro dhe kundër kryetarit të opozitës, Lulzim Basha.
Arben Imami thotë se do të kishte dhënë dorëheqjen nga kandidatura për anëtar në Këshillin Kombëtar siç bënë shumë kolegë të tij, por Basha nuk ia dha as këtë kënaqësi, duke e lënë jashtë listave.
Mesa duket, kjo ishte vija e kuqe e cila e ndau terësisht me kryetarin.
“Po të isha në listën e Këshillit Kombëtar do të kisha bërë të njëjtën gjë që bënë disa kolegë të tjerë. Por kjo është një gjë që duhet ta zgjidhja unë. Basha e hoqi emrin tim nga lista e Këshillit Kombëtar megjithëse Këshilli Kombëtar i vjetër do të votohej i gjithi së bashku. Pasi ka bërë të gjitha këto thotë hajde bashkohemi. Për çfarë të bashkohemi?
Nuk më bashkon asgjë me zotin Basha, është përfitues i punës, djersës dhe gjakut të PD. E rrënoi atë parti. Me të personalisht nuk kam asnjë pikë konktakti. Ishte e qartë se do shkonte në këtë mënyrë, nuk kishte asnjë surprizë. Me këtë po vulos përçarjen e PD që e shkaktoi ai. Bashkimi dhe harmonia mund të krijohen vetëm mbi bazën e rregullit të mirëpranuar. Nëse prishet ky rregull dhe dëmton lirinë e personit dhe drejtësinë nuk ka shanse për bashkim. Këtë ka bërë Basha.”tha Imami në Ora News.