Disa demokratë u tërhoqën nga Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, duke e cilësuar farsë procesin e krijuar nga kreu demokrat, Lulzim Basha.
Edvin Kulluri një nga demokratët e tërhequr u shpreh se mbledhja e sotme e Kuvendit Kombëtar demokrat është nul. Sipas tij, mbledhja e Kuvendit Kombëtar u bë për të eklipsuar protestën e studentëve.
“Nuk është mbledhur as Kryesia as Këshilli kombëtar për të mbledhur Kuvendin. Nga kjo pikëpamje ky Kuvend është nul. Fare lehtë po ta çosh në Gjykatë, nëse do kemi gjyqtar që nuk varet as nga Rilindja dhe as nga z.Basha, do ta rrëzonte normalisht. Bashës i kemi thënë jep dorëheqjen që t’i hapësh rrugë një gare, ai ngriu.
U rizgjodh përmes një kandidati përballë që s’dihet se ku është tani. Sot doli një zonjë dhe tha që një pjesë e atyre këtu, punojnë për Edi Ramën. Po të shihje atë dokumentarin sot aty, dukej qartë që Lulzim Basha kishte fshirë historinë e Partisë Demokratike. Dukej sikur historia e PD niste dhe mbyllej me Lulzim Bashën.
PD sot dhe Sigurimi i Shtetit dje nuk punon me ligj. Të fusnin në burg kot. I kam propozuar Këshillit Kombëtar të PD një statut të ri. Arsyeja pse Basha mblodhi Kuvendin Kombëtar të PD është për të sfumuar protestën e studentëve dhe për t’iu fshehur kësaj proteste. Kuvendi sot nuk ka pasur kuorum. Nga 7 mijë delegatë, kanë marrë pjesë vetëm 2500. Pra, që nga data kur u mblodh, kuorumi e gjithçka është farsë aty” tha Kulluri në Report Tv.