Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Fatos Qato u ballafaqua me dyshimet për deklarime kontradiktore si dhe mungesë burimesh për arredimin e shtëpisë në vlerën 25 mijë euro dhe shkollimin e fëmijëve në të njëjtën shumë. Ai kundërshtoi analizën e KPK-së dhe tha se kishte burime të ligjshme.
Nga Aleksandra Bogdani
Gjyqtar prej më shumë se 15 vitesh në Apelin e Tiranës, Fatos Qato u ballafaqua të premten me dyshimet për deklarime kontradiktore si dhe me shpenzimet e kushtueshme në arredimin e shtëpisë, shkollimin e vajzave në Holandë, një trajtim mjekësor në Gjermani si dhe udhëtimet jashtë shtetit, të verifikuara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit përmes sistemit TIMS.
Gjyqtari Qato, i cili u paraqit në seancën dëgjimore i shoqëruar nga avokati Julian Mërtiri iu nënshtrua procesit të vetingut vetëm për kriterin e pasurisë. Trupa gjykuese drejtohej nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Suela Zhegun.
Konkluzionet e hetimit administrativ, të lexuara në sallë nga relatorja Brunilda Bekteshi u fokusuan në kontratën e blerjes së një apartamenti në rrugën “Muhamet Gjollesha” në vitin 1997 si dhe te shpenzimet e padeklaruara familjare të gjyqtarit Qato, të cilat kapin vlerën e 50 mijë eurove.
Apartamenti me sipërfaqe 141 metra katrorë është blerë në vitin 1997, por është regjistruar 20 vjet më vonë, ndërkohë që gjyqtari Qato nuk kishte paraqitur dokumente për pagesat e këstit të tretë dhe të katërt-çka solli debat në seancë dhe e vendosi gjyqtarin Qato në dritën e deklarimeve kontradiktore.
Në anën tjetër, Komisioni ka llogaritur se familja Qato ka shpenzuar 25 mijë euro për arredimin e shtëpisë si dhe 25 mijë euro të tjera për shkollimin e dy vajzave në Holandë dhe tarifën e studimit të djalit në kolegjin turk në Tiranë, duke filluar nga viti 2014.
Sipas relatores Bekteshi, gjyqtari Qato rezulton me mungesë burimesh financiare në vlerën e 8.3 milionë lekëve. Qato dhe avokati i tij Mërtiri e kundërshtuan analizën financiare të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe pretenduan se gjyqtarit nuk i ishin llogaritur të ardhurat e vjehrrit dhe vjehrrës si dhe një pjesë të të ardhurave të realizuara prej dy bashkëshortëve.
“Të ardhurat i kam 45.6 milionë lekë dhe nga këto vetëm 10.5 milionë janë pasuri. Unë kam burime të ligjshme,” tha Qato përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Deklarime kontradiktore
Përveç apartamentit në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë, gjyqtari Fatos Qato zotëron familjarisht një shtëpi banimi 176 metra katrorë, e përfituar me kontratë dhurimi nga prindërit e bashkëshortes, dy automjete “Volkswagen Polo” dhe “Renault” me vlerë totale rreth 6.1 milionë lekësh si dhe një sipërfaqe trualli në Lin të Pogradecit, e blerë për 101 mijë lekë nga bashkëshortja.
Gjithashtu, familja zotëron në llogari rrjedhëse rreth 7 mijë euro.
Relatorja Bekteshi deklaroi se apartamenti në rrugën “Muhamet Gjollesha” është blerë përmes një kontrate me shoqërinë Ademi për 28 500 dollarë në vitin 1997, por është regjistruar në vitin 2017. Sipas kontratës, çmimi është likujduar në katër këste, por Qato nuk ka paraqitur dokumente për pagesën e këstit të tretë dhe të katërt.
Gjithashtu, Bekteshi nxorri në pah se gjyqtari Qato ka ndryshuar versionin e burimit të kësaj pasurie; fillimisht e deklaruar me të ardhurat nga pagat dhe më pas e korrektuar me ndihmesën e vjehrrit dhe vjehrrës, pas lëshimit nga ana e tyre e një vile me qira.
Komisioni ka kryer analizën financiare për blerjen e kësaj pasurie dhe ka rezultuar se subjekti nuk justifikonte 266 mijë lekë. Megjithatë, mungesa e dokumenteve për pagesën e dy kësteve dhe deklaratat e ndryshme për këstin e katërt e shoqëruan gjatë përballjen e Komisionit me gjyqtarin Qato.
“Në kontratë rezulton që janë likujduar të katër këstet, por subjekti në shpjegimet për Komisionin ka thënë që e ka humbur mandatin e pagesës së këstit të tretë, ndërsa kësti i katërt i është zbritur pasi ka kryer punime të rifiniturave në apartament,” tha relatorja Bekteshi.
Avokati Mërtiri shpjegoi para Komisionit se prona është blerë me burime të ligjshme dhe se është deklaruar që në vitin 2003. Sa i përket pagesave, ai shtoi se subjektit i ka humbur mandate-pagesa në vlerën e 8460 dollarë dhe se ai nuk ka pasur detyrim ligjor që të arkivojë dokumentin.
“Kësti i katërt është zbritur për shkak të punimeve të kryera. Sa i përket burimit të pronës, janë të ardhurat nga paga plus ndihmesa nga prindërit e bashkëshortes, pasi ata kanë lëshuar me qira vilën ku banonin,” tha avokati Mërtiri.
Qato i shtoi detaje të tjera dyshimeve për mungesë burimesh, kur tha se që prej kohës kur ishte martuar në vitin 1990 kishte jetuar në shtëpinë e vjehrrit dhe se ekonomia ka qenë e përbashkët deri në vitin 1997. Ai kundërshtoi llogaritë e Komisionit sa i përket të ardhurave të pallogaritura të pensionit të vjehrrit si ish-pilot dhe vjehrrës si mësuese rusishteje, ndërsa shtoi se këmbimin e parave në dollarë e kishte bërë përpara vitit 1997.
I pyetur në mënyrë të përsëritur nga relatorja Bekteshi nëse ia kishte paguar këstin e katërt kompanisë Ademi, Qato u përgjigj se kishte thënë të vërtetën në deklarimin se “kontrata ishte likujduar” dhe se kompensimi është një formë e pagesës.
E njëjta pyetje u rikthye në vëmendje edhe nga vëzhguesi i ONM-së, Hans Kijlstra, i cili testoi vërtetësinë e deklarimeve të gjyqtarit.
“Ju keni thënë se e keni paguar këstin e katërt dhe më pas keni deklaruar se nuk e keni paguar kurrë atë. A mund ta shpjegoni këtë mungesë konsistence nga ana juaj,” pyeti vëzhguesi i ONM.
Pas një diskutimi me avokatin mbi përkthimin e pyetjes, Qato u përgjigj se marrëveshja është likujduar, por në pyetësor kishte thënë se nuk e kishte paguar këstin e katërt pasi ishin kryer punime dhe se ai nuk kishte asnjë problem me kompaninë për këstin e katërt.
“E vërteta është ashtu siç e kemi deklaruar. Kemi kryer vetë një pjesë të punimeve. Në marrëveshje me firmën. Unë nuk e dija para 20 viteve që do të vinte kjo ditë, se do t’i kisha ruajtur faturat,” u përgjigj Qato.
Arredimi dhe shkollimi i vajzave
Në vitin 2012, gjyqtari Qato ka blerë një automjet “Renault” me qira financiare për 28 500 euro. Por sipas Komisionit, ai nuk ka pasur mundësi financiare në të njëjtin vit për të paguar këstet, bashkë me këstet e një makine të blerë në vitin 2010, një tokë të blerë në fshatin Lin të Pogradecit si dhe shpenzimet e tjera të harxhuara në arredimin e shtëpisë, shkollimin e fëmijëve si dhe udhëtimet jashtë shtetit.
Sipas relatores Bekteshi, gjyqtari kishte deklaruar se arredimi i shtëpisë i kishte kushtuar 25 mijë euro. Një vlerë e barabartë është shpenzuar sipas saj nga gjyqtari për shkollimin e dy vajzave në Holandë dhe të djalit në kolegjin turk në Tiranë.
“Shpenzimet e arredimit, të shkollimit si dhe blerja e një këndi kolltuqesh për 5 mijë nga vjehrri dhe vjehrra nuk janë deklaruar nga subjekti në deklarimet periodike,” tha Bekteshi, e cila shtoi se gjyqtari nuk justifikonte në total 8.3 milionë lekë.
“Ai ka thënë se një pjesë e shpenzimeve të jetesës së vajzës është mbuluar nga shtetasi A.Sh. Ai ka sjellë dokumente që A.SH ka pasur të ardhura, por jo dokumente që provojnë pagesat e kryera për shpenzimet e jetesës në Holandë,” shtoi më tej Bekteshi.
Gjithashtu, Komisioni tha se gjyqtari i Apelit nuk kishte paguar tatimin në burim për qiranë e përfituar nga apartamenti në vitet 2012-2014, ndërsa Qato u mbrojt me argumentin se kontratat e qirasë ishin administruar nga vjehrri dhe se mospagesa e taksave kishte ardhur edhe për shkak të mungesës së sensibilizimit.
Gjyqtari Qato kundërshtoi sërish analizën financiare të KPK-së, ndërsa tha se arredimi i shtëpisë nuk është bërë në pesë vitet e fundit. Ai shtoi se në këtë periudhë është blerë vetëm këndi i kolltuqeve nga vjehrri dhe vjehrra për 5 mijë euro.
“Unë jam pyetur në formular sa është vlera e arredimit dhe kam thënë 25 mijë euro. Por arredimi nuk është bërë në 5 vitet e fundit. Unë jam martuar në vitin 1990 dhe e kisha një dhomë gjumi. Unë një shtëpi kam blerë gjithë jetën dhe atë krevat që jam martuar e përdor edhe tani,” tha Qato.
Gjyqtari i Apelit shtoi se të gjitha kursimet e grumbulluara në cash nga viti 2003 deri në vitin 2016 i ka përdorur për arredimin e shtëpisë dhe shkollimin e fëmijëve. Ai këmbënguli sërish se bashkëjetesa me vjehrrin dhe vjehrrën ishte e pakontestueshme dhe se ishte i gatshëm që t’i hapte shtëpinë Komisionit për të vërtetuar një gjë të tillë.
Ai pretendoi se për shpenzimet e jetesës së vajzës në Holandë i kishin kërkuar vetëm dokumentet e të ardhurave të bashkëjetuesit të së bijës dhe pas ndërhyrjes së kryesueses Valbona Sanxhaktari u tha se barra e provës ishte mbi faktin nëse bashkëjetuesi A.SH kishte paguar shpenzimet dhe jo nëse ai kishte të ardhura.
Qato shtoi se i kishte dorëzuar Komisionit dokumente të reja nga Holanda dhe se ishte i bindur që pagesat ndodheshin aty.
Gjatë konkluzioneve përfundimtare, gjyqtari Qato tha se pasuria e tij zinte më pak se 1/3 e të ardhurave dhe se gjatë jetës së tij kishte blerë vetëm një shtëpi në vitin 1997.
“Kam edhe një makinë përveç shtëpisë edhe 5 mijë euro. Edhe atë tokën arë,” shtoi ai.
Ai pretendoi se kishte burime të ligjshme për pasurinë dhe shpenzimet e kryera, ndaj kërkoi konfirmimin në detyrë në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Vendimi për Qaton do të shpallet më 17 dhjetor.