Nga Mero Baze
Paraditen e sotme një zyrtar i Partisë Demokratike nxitoi të “informojë” shtypin, se Komisioni i Venecias kishte aprovuar propozimin e PD për “vetingun” e politikanëve.
Për disa minuta mediat gjetën vendimin onlinë dhe ishte 100 për 100 e kundërta e saj.
Në fillim “Zëri I Amerikës”, pastaj gjithë shtypi botuan vendimin, i cili e thotë qartë se, “duke pasur parasysh dispozitat ekzistuese kushtetuese, legjislacionin përkatës dhe mekanizmat e tjerë demokratikë në dispozicion, Komisioni i Venecias beson se vlera e shtuar ligjore e amendamenteve të propozuara është e diskutueshme”.
Pas kësaj lind pyetja përse nxitoi PD qysh në mëngjes, të bërtiste “fitore”?
Arsyeja themelore është se PD duhet të kthehet në Parlament, dhe po përpiqet të gjejë një shteg për të dalë nga rrethimi ku është vetë-futur.
Një rast i mirë ishte protesta e studentëve. Diskutimi në Parlament këtë javë i shpëtoi disa deputetë të opozitës nga djegia e mandateve. Biles për ta ilustruar me humor këtë skenë, ishte rasti i një deputeti të LSI, që edhe pse nuk ishte caktuar në “delegacionin” e Kuvendit, shkoi aty, futi kartën dhe doli. Ai gjest tregon tamam cili është halli.
Pasi studentët nuk kanë shumë dëshirë të kenë avokatë opozitën në problemet e tyre, ata i prenë rrugën atyre të shkojnë në Kuvend.
Tani përgjigjia e Venecias është një rast i mirë.
Nëse bërtitet “fitore” për të, ata mund të kthehen “të dhjerë, por krenarë” në Kuvend, për ta zbatuar vendimin e Venecias, i cili në fakt hedh poshtë propozimet e PD.
Por ishte interesante se dhe PS nuk reagoi shumë keq ndaj nxitimit të ish- ministrit Bardhi në mëngjes. Natyrisht e përgënjeshtroi, por deri aty. Me sa duket ata nuk duan t’i trembin opozitarët në rrugën e kthimit.
Sapo Basha të mbarojë këto dy ditë Kongresin, që po e zhvillon thuajse në ilegalitet të fortë, me siguri do bëjë bilancin e fitoreve, dhe në krye të tyre do të jetë kjo “fitorja” e Venecias që mundëson kthimin në Kuvend.
Nuk e kanë menduar keq dhe nuk duhen rënduar me paragjykime në këtë rast. Një arsye për t’u kthyer do ta gjenin. Këtë nuk e kanë gjetur keq.
Po të ishin më të mëshirshëm studentët, do t’i kishin shpëtuar ata, por ata nuk pranuan. Venecia ofron një “gondolë” më të mirë për të dalë në breg pa lagur.