Firmoset marrëveshja ndërmjet qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunim financiar 2017 për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës sipas parimit të efiçiencës energjitike, faza III”.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka deklaruar se plot 80 milionë euro do të investohet nga qeveria për rehabilitimin e konvikteve, për përmirësimin e kushteve për studentët.
Ahmetaj vlerësoi ndihmën e Gjermanisë, ndërsa theksoi se investimi do të kryhet në disa faza “Sektori energjitik ishte një nga betejat kryesore të mandatit të parë të qeverisë Rama, për rikthimin e ligjshmërisë së harruar prej vitesh si dhe rregullimin e strukturës së çmimeve.
Është me rëndësi vazhdimi i reformave, që qeveria Rama ka hyrë në hapin e dytë të zhvillimit të vendit. Përmes një plani strategjik, synohet një rrugë e qartë për reformimin e të gjithë strukturës së energjisë elektrike në Shqipëri.
Së dyti, një nga marrëveshjet që firmoset në favor të përmirësimit të kushteve për studentët në universitete, investim 80 mln euro që Shqipëria do bëjë me ndihmën e qeverisë gjermane për kampuset universitare. Është premtim që Rama e ka dhënë dhe do e mbajë brenda përfundimit të mandatit të dytë për rikonstruktimin e qytetetit Studenti,” tha Ahmetaj.
Prej disa ditësh studentët protestojnë para ministrisë së arsimit dhe kryeministrisë, ku kërkojnë plotësimin e 8 pikave, ku një ndër to është edhe përmirësimi i kushteve në konvikte.
Tre marrëveshjet që firmosen 1-Memorandumi i mirëkuptimit për bashkëpunimin financiar mes Shqipërisë, Gjermanisë dhe Francës në lidhje me programin “Mbështetja e reformës në sektorin energjetik në Shqipëri”
2-Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunimin financiar 2016 për projektin “Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I”.
3-Marrëveshja ndërmjet qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunim financiar 2017 për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës sipas parimit të efiçiencës energjitike, faza III”.