Vajza e Azemit shkon pa “lejen” e Bashës në Kuvend, mbron studentët dhe shpëton mandatin e deputetit. Aq të pezmatuar ishin krerët e PD me Rudina Hajdarin, sa kanë shpërndarë të gjitha karagjozllëqet e deputetëve Boçi e Salianji, ndërsa fjalën e vajzës-deputete të Azemit nuk kanë denjuar ta shpërndajnë nga zyra e shtypit e PD. Hakmarrja e Berishës ndaj Azem Hajdarit vijon dhe pas vdekjes së tij, duke u shkarkuar te fëmija që doli kundër linjës së tyre. S’mund të themi të njëjtën gjë për nënën e fëmijëve të Azemit, gjyqtaren e Apelit Fatmira Hajdari, e cila po shpërblehet nga Berisha vetëm për faktin se nuk po lejon rihetimin e dosjes për zbardhjen e vrasjes së bashkëshortit. Priten zhvillime të reja në PD
Një nga një të gjithë deputetët e PD dhe të LSI kanë shkuar në një mënyrë apo një tjetër në Kuvend dhe kanë “hequr” mungesën 6 mujore, duke shpëtuar mandatin. Dikush ka marrë pjesë në seancën parlamentare për të mbajtur ndonjë deklaratë në emër të PD apo LSI, dikush tjetër ka qënë në komisionet parlamentare, herë në ndonjë takim për integrimin, herë për ndonjë vizitë jashtë vendit në delegacionet e përhershme parlamentare, dhe nuk e kanë rrezikuar mandatin e deputetit. Të fundit ishin ata tetë deputetë të PD dhe të LSI, të cilët kanë hyrë sot në Kuvend për të “mbrojtur” të drejtat e studentëve dhe janë paraqitur pa përfunduar afati gjashtëmujor i mungesës në Kuvend, duke shpëtuar mandatin e tyre.
Deputetja e vetme e cila nuk ka qënë në komisione parlamentare, nuk ka qënë në Kuvend për të mbajtur ndonjë deklaratë në emër të PD dhe që i ishte vënë në rrezik serozisht mandati i deputetit ka qënë Rudina Hajdari, vajza e liderit të Dhjetorit ’90, Azem Hajdari. Ma sa duket ka qënë një skenar i ish kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të PD Lulzim Basha për t’i hequr mandatin e deputetit, pas shenjave të mosdakordësisë që ka shfaqur gjatë tërë kësaj kohe deputetja Rudina Hajdari, e cila ka bashkuar zërin publikisht me studentët.
Teksa deklaroi ditë më parë se ishte gati të dorëzonte mandatin e deputetes dhe të përfshihej në protestë nëse studentët e pranonin, vajza e Azem Hajdarit sulmoi dhe Bashën duke thënë se me këtë strategji që po ndiqet dhe sa të jetë ky lidership partie, PD nuk vjen kurrë në pushtet. Pikërisht për këtë arsye Berisha dhe Basha nuk i dhanë asnjë mundësi Rudina Hajdarit që të shkojë në Kuvend për të mos iu djegur mandati, madje dhe sot, nuk ishte planifikuar fare që të shkonte në Parlament, por kanë zgjedhur vetëm 4 deputetë të tjerë të rrezikuar.
Kështu që protesta e studentëve riktheu dje në parlament edhe 8 deputetë të opozitës, 4 deputetë të PD e 4 deputetë të LSI, duke thyer kështu bojkotin dhe duke shpëtuar mandatet nga djegia. Nga deputetët e PD në seancën e sotme marrin pjesë Luçiano Boçi, Valentina Duka, (dy pedagoge) Izmira Ulqinaku dhe Ervin Salianji. Ndërsa nga LSI, Floida Kërpaçi, Luan Rama, Petrit Vasili dhe Kejdi Mehmetaj. Duke parë këtë skenar përjashtues dhe të zymtë, por dhe duke parë se pikërisht aktivitetin e PD në ditën e 8 dhjetorit të fillimit të lëvizjes studentore në “Qytetin Studenti”, organizuar para bustit të Azem Hajdarit nuk ia dhanë fjalën por e mori me zor, Rudina Hajdari sot ka shkuar pa pyetur asnjeri në seancën parlamentare, duke thyer në këtë mënyrë urdhërin e Bashës.
Ndonëse nuk e kishte emrin në listën e deputetëve të PD të përzgjedhur nga kreut demokrat, për të shkuar sot në Parlament për çështjen e studentëve, vajza e Azem Hajdarit e ka bërë vetë një gjë të tillë. Teksa ka qenë në qendër të vëmendjes ditët e fundit për deklaratën e saj për një largim të mundshëm nga PD, ajo ka mbajtur një fjalim të shkurtër në Kuvend, ku është shprehur se kishte ardhur për të mbështetur studentët, ndërsa ka kërkuar po ashtu të votohet edhe Kodi Zgjedhor. Ndërkaq, pas seancës, Rudina Hajdari ka bërë edhe një sqarim në Facebook ku nuk ngurron të thotë se “rregullin” e theu opozita me ardhjen e saj në 10:00 të mëngjesit në seancë plenare.
“Nuk e theva unë rregullin, rregulli u thye që në 10 të mëngjesit, me ardhjen e opozitës në Kuvend. Unë thjesht bëra detyrën time”, shkruan Hajdari.
“Sot kam ardhur vetëm për një arsye. Jo për t’ju drejtuar këtij Parlamenti, as për t’ju thënë që kam ardhur këtu të marr një llokmë të studentëve, që t’ju them që jam këtu për të marrë mbështetjen e studentëve. Unë i dua ata studentë, atyre bravo ju qoftë që po ndryshojnë historinë e këtij vendi. Unë kam ardhur këtu për një arsye të vetme, për t’ju thënë ju që rrini nëpër kafe aty që asnjë nuk është në këtë seancë, dhe këtu kushdo që foli ishte një kryehajdut që asnjë nuk e do këtë vend dhe s’keni për ta dashur. Dhe nëse doni ju ndryshim në këtë vend, sillni Kodin Zgjedhor këtu. Mos i mbani listat e mbyllura! Silleni këtu ta votojmë. Dhe atëherë do pastrojmë këtë Parlament. Do pastrojmë këtë kastë politike dhe do e ndryshojmë këtë vend. Doni ndryshim për studentët?Ndryshoni auditorët, kapni ata pedagogët aty. Ky eshte ndryshimi. nëse doni këtë vend mendoni seriozisht për vendin tuaj dhe mos hajdeni këtu të na bëni shoë politik sepse jemi të ngjeshur. Ky vend është i ngopur. Këta studentë që dalin aty jashtë, nuk dalin sepse vetëm thjesht duan ndryshime. Ata janë të lodhur nga çdo politikan, jane te lodhur nga ju, nga këta, nga çdo lloj politikani. Kanë humbur besimin nga çdonjëri prej jush”, ka qënë fjala e Rudina Hajdarit nga podiumi i Kuvendit.
Nuk mund të themi të njëjtën gjë për nënën e fëmijëve të Azemit, gjyqtaren e Apelit Fatmira Hajdari, e cila po shpërblehet nga Berisha thjeshtë dhe vetëm për faktin se nuk po lejon rihetimin e dosjes për zbardhjen e vrasjes së bashkëshortit të saj. Priten zhvillime të reja në PD./Pamfleti