Presidenti i vendit, Ilir Meta ka folur sot në “Studio e Hapur” në “News 24” edhe për Prokuroren e Përkohshme të Përgjithshme, Arta Marku kur u pyet nëse do të jetë ajo e aftë të kapë “peshqit e mëdhenj” që duhen vënë para drejtësisë edhe si një kusht për integrimin.
Moderatorja Eni Vasili e pyeti Presidentin nëse janë “peshq të mëdhenj” drejtorët e rrugëve të arrestuar në kuadër të hetimit për Tiranë-Elbasan, mes tyre Dashamir Xhika nga radhët e LSI-së, por Meta tha se problemi ishte diku tjetër.
Ai nuk nguroi ta thumbonte në distancë kryeprokuroren, duke shtuar se ka drejtues për të cilët është lëshuar fletë-arresti dhe nuk po arrestohen.
Prej Arta Markut pritet kapja e peshqve të mëdhenj, janë kapur disa drejtorë rrugësh, a mendoni se janë ata disa prej peshqve të mëdhenj?
Meta: S’mund t’ja lejoj vetës të hy në gjera politike. Shqetësim nuk janë arrestimet por që çdo gjë të bëhet në bazë të provave, pa paragjykime, të jenë procese që do shikohen e monitorohen. Të rritet besimi tek gjykatat…Ka drejtues për të cilët ka fletë arresti, por nuk arrestohen. Problem tjetër madhor është krimi i organizuar, shqiptarët po ia kalojë edhe mafias atje tha prokurori italian i Antimafias një ditë më parë.
A keni besim tek Arta Marku?
Meta: Më bëre një pyetje të vështirë, unë kam dhe s’kam besim tek asnjeri. Çdo njeri është produkt i një ambienti, rrethanave unë besoj tek sistemi. Ky do jetë ai standardi që i duhet Shqipërisë. Prokurorja është në provën e saj, kam pasur zhgënjimet e mia edhe nga njerëz tek të cilët kam besuar.
(m.a/BalkanWeb)